Godet “Eleanor”, Uellsi në alarm. Alarm portokalli në Francë
Europa veriperëndimore është goditur së fundmi nga stuhia “Eleanor”, e cila ka sjellë shira dhe erëra të forta që arrinin deri në 160 km për orë...

Stuhia “Eleanor” ka goditur këtë mëngjes bregdetin e Gjirit Treaddur, Anglesey dhe ishullin Barry në Uells.
Dallgë të mëdha dhe erëra të forta goditën zonat bregdetare të Uellsit verior dhe jugor, pasi “Eleanor” udhëtoi në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike, ndërprerje të udhëtimeve dhe përmbytje të mëdha. Një ditë më parë, “Elenaor” goditi bregun perëndimor të Irlandës veriore duke shkatërruar banesa dhe biznese të tëra, 27 mijë prej tyre vazhdojnë të jenë ende pa energji elektrike.
Stuhia shënjestroi mëngjesin e së mërkurës edhe disa rajone të Francës duke sjellë erëra të forta lokale që arrinin shpejtësi deri në 120 kilometra në orë. 47 rajone franceze janë vënë në alarm portokalli.
Është ndaluar qarkullimi i automjeteve, i motorëve dhe kalimtarëve në zonat që janë kryesisht të rrezikuara siç janë Ura e Normandisë dhe Rruga "Grand Canal". Erërat e forta detyruan gjithashtu mbylljen e Kullës Eiffel në Paris. “Eleanor” goditi edhe Francën veriore, duke lënë pas 200 mijë shtëpi pa energji elektrike.
