Maqedoni
Kthimi i besimit në gjyqësor, Selmani: Testim të gjykatësve, analiza të lëndëve
03.01.2018 15:46
Viti 2017 ishte një vit tragjikomik për Republikën e Maqedonisë sa i përket aspektit juridik dhe atij politik, vlerëson profesori universitar, Bashkim Selmani...

Sipas tij, është e domosdoshme që të gjithë gjykatësit të testohen për punën e tyre, të gjithë ata që kanë vepruan në bazë të interesave politike apo individuale të shkarkohen apo dënohen për shkak të keqpërdorimit të autonomisë së gjyqësorit, të analizohet madje edhe pasuria e tyre, e ata që kanë pasuri më të madhe sesa rroga që marrin të shkarkohen e të dënohen sipas ligjeve.
“Si fazë e parë duhet t’i bëhet një pjesë analitike të gjitha lëndëve sa u përket gjyqësorit. Faza e dytë ka të bëjë me përcjelljen e lëndëve në të cilën vendimmarrja e gjykatësve ka qenë në interesin individual, politik apo interesa tjera, siç është korrupsioni dhe elemente të tjera, dhe pjesa e tretë që është paraparë në bazë të organeve që i ka gjyqësori do të jetë mirë të shtohet edhe një agjenci përcjellëse e vendimmarrjes së gjykatësve”,- tha profesori universitar, Bashkim Selmani.
Sa u përket rasteve gjyqësore që procedohen kundër shqiptarëve dhe parregullsive të shumta që vërehen gjatë shqiptimit të dënimit për vepër të njëjtë, por për të akuzuar nga etnitete të ndryshme, Selmani është i mendimit se duhet të ketë ndryshime ligjore sa i përket trupit gjykues, që do të kthenin besimin e shqiptarëve në sistemin gjyqësor.
“Për ne shqiptarët është shumë me rëndësi të krijohet një besueshmëri faktike dhe të ketë një limit. Nëse parashihet heqje lirie deri më 3 vit, e detyrimisht në çdo trup gjykues të ketë të paktën një shqiptar, që nënkupton se vendimmarrja do të jetë më e matur dhe përgjegjësia do të ishte nga të dy komunitetet kur dihet gjithmonë se viktima kanë qenë palët shqiptare”,- theksoi profesori universitar, Bashkim Selmani.
Me qëllim që të përmirësohet cilësia e sistemit gjyqësor, Selmani thotë se është e nevojshme që të forcohet Akademia e gjykatësve dhe prokurorëve ndërsa një pjesë e gjykatësve dhe prokurorëve të specializohen jashtë dhe të marrin një përvojë të caktuar se si vendoset dhe çfarë përgjegjësie është gjyqësori.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
