Ekonomi
Rritja e akcizës, shitësit: Do të reflektojë në çmimet e produkteve; qytetarët: Çmimet rriten, standardi njësoj
03.01.2018 16:04
Prej të hënës ka hyrë tashmë në fuqi vendimi qeveritar për rritjen e akcizës së naftës dhe çmimet e karburanteve u shtrenjtuan për 3,5 denarë...

Edhe pse autoritetet thanë se ky ndryshim nuk do të ndikojë tek qytetarët, tashmë nuk po ankohen vetëm kompanitë transportuese apo taksitë, por edhe shitësit në tregjet e gjelbra, të cilët thonë se kjo rritje do të ndikojë edhe në punën e tyre.
Sipas tyre, rritja e çmimit të transportit me automatizëm rrit çmimet e produkteve që shesin.
“Është e sigurt se nëse rriten çmimet e naftës do të rriten edhe çmimet e mallrave. Çmimet në përgjithësi janë të larta, kush ka para blen, kush nuk ka nuk blen”,- theksoi një shitës.
“Momentalisht ka ndikuar, nëse rritet nafta rriten edhe çmimet. Shitja këtë vit ka qenë shumë dobët, diku për rreth 50% është ulur”,- tha një shitës.
Rritja e çmimit të naftës ka ndikuar tek qytetarët të cilët do të paguajnë çmime më të shtrenjta edhe tek produktet ushqimore, ata ankohen se çmimet janë të larta në krahasim me standardin e tyre.
“Çmimet janë të shtrenjta. Standardi këtu tek ne e dimë që është i ulët, me 200 euro çfarë të bëjmë”,- deklaroi një blerës.
“Çmimet janë të mesme, por për standardit tonë janë të larta. Kohën e fundit shoh edhe rritje të çmimeve”,- tha një blerës.
“Nuk është çmimi i lartë, standardi ynë në krahasim me shtetet europiane është shumë në nivel të ulur”,- u shpreh një blerës.
Qeveria shumë herë ka sqaruar se rritja e akcizës është ekonomikisht e arsyeshme pasi fitimet në buxhet nga ky vendim parashikohen të arrijnë në 1.6 miliard denarë.
Qeveria nuk pret të ketë rritje të çmimit të produkteve të tjera dhe thotë se edhe me këtë rritje çmimi i naftës në Maqedoni do të jetë më i ulët në krahasim me rajonin.
GAZMEND KURTISHI
