Irani në kaos, Khamenei: Armiqtë po godasin Revolucionin islamik

03.01.2018 16:31

Teherani dhe qytete të tjera në Iran vazhdojnë të jenë në kaos....

Teherani dhe qytete të tjera në Iran vazhdojnë të jenë në kaos, teksa qindra mijëra protestues mbajnë të bllokuara qendrat kryesore prej javës së kaluar, duke hedhur parulla kundër qeverisë.

Të paktën 22 qytetarë, mes tyre dhe 4 fëmijë, kanë humbur jetën deri më tani në të gjithë vendin pas përplasjeve me policinë, më shumë se 530 protestues janë arrestuar.

Këtë të mërkurë, qindra mijëra njerëz janë mbledhur për të mbajtur tubime pro-qeveritare në të gjithë Iranin, pas rreth gjashtë ditësh trazira kundër rritjes së çmimeve e papunësisë. Udhëheqësi suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, më herët fajësoi ndërhyrjen e “armiqve të vendit” dhe nxitjen e protestave antiqeveritare.

“Armiqtë presin për një mundësi, një çarje në sistem që të mund të infiltrohen. Shikoni incidentet e ditëve të kaluara. Të gjithë ata që janë në kundërshtim me Republikën Islamike po shfrytëzojnë mjete të ndryshme, duke përfshirë para, armë dhe shërbime inteligjente, për të krijuar problem në sistemin islamik, Republikën tonë islamike dhe vetë Revolucionin islamik”,- deklaroi lideri suprem fetar i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei.

PROTESTAT NË IRAN, SHBA KRITIKON QEVERINË, MBËSHTET PROTESTUESIT

Por, ShBA i ka quajtur si “të pakuptimta” akuzat se armiqtë e Iranit qëndrojnë pas protestave që kanë përfshirë vendin.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka kritikuar qeverinë e Teheranit për dhunën, madje përshëndeti protestuesit të cilët, sipas tij, po veprojnë kundër regjimit “brutal dhe të korruptuar”. E dërguara e ShBA-ve në OKB, Nikki Haley, u shpreh se protestat ishin “spontane”, duke shtuar se Uashingtoni po planifikon të kërkojë thirrjen e një takimi urgjent lidhur me situatën. (Gazmend Rexhepi, TVM2)