Botë
Gjykata e Prishtinës vendosi: 5 vite me kusht për 4 deputetët e Vetëvendosjes
03.01.2018 16:50
Pesë vjet e gjysmë burg për deputetët e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, Donika Kadaj-Bujupin, Faton Topallin dhe Albulena Haxhiun, për hedhjen e gazit lotsjellës në kuvend...

Gjykatësi, Beqir Kalludra, shpalli aktgjykimin në seancën gjyqësore, ku munguan deputetët e akuzuar.
Sipas këtij vendimi gjyqësor, deputeti, Albin Kurti, u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim; Albulena Haxhiu me 1 vit e 3 muaj; Donika Kadaj - Bujupi me 1 vit e 6 muaj dhe Faton Topalli me 1 vit e 3 muaj burgim.
Mirëpo, dënimet janë me kusht, kështu që nuk do të ekzekutohen nëse ata nuk kryejnë ndonjë vepër penale në kohëzgjatje prej dy vitesh. Avokati mbrojtës i deputetit Topalli paralajmëroi ankimim në Gjykatën Penale, pasi, siç tha ai, deputetët në fjalë janë të pafajshëm.
“Ka qenë intencë e Prokurorisë që në çdo mënyrë këto personalitete të një grupacioni politik me çdo kusht të shpallen fajtorë. Ne konsiderojmë se ky verdikt, si i tillë, nuk do të qëndrojë, sepse do të shfrytëzojmë mundësinë e ankesës dhe Gjykata e Apelit do të ketë rast që përsëri këtë rast ta kthejë në rigjykim ose t’i shpall të pafajshëm”,- deklaroi avokati, Haxhi Millaku.
Katër deputetët e Kuvendit të Kosovës akuzohen për hedhje të gazit lotsjellës në seancën kuvendore me qëllim të pengimit të ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi dhe Marrëveshjen për bashkësinë e komunave me shumicë serbe.
Gjatë procesit gjyqësor, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje deklaruan se veprimet e tyre ishin vetëm në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, duke parandaluar kështu një të keqe të madhe që po i kanosej Kosovës “faljen e mijëra hektarëve tokë dhe bosnjëzimin e Kosovës”.
Por, deputetët në fjalë u akuzuan për kryerje të veprës penale “të përdorimit të armës apo mjetit të rrezikshëm”, si dhe “pengim të personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.
GYLTENE SINANI
