Maqedoni

Kociançiq: reforma efektive për progres serioz drejt BE-së

03.01.2018 17:03

Viti 2018 është vit i mundësisë për vendet ballkanike, për të ndërmarrë hapa të pakthyeshëm në rrugën e integrimit europian...

“BE nuk do të bëjë kompromise për kushtet e anëtarësimit. Çdo progres serioz është kusht për reforma efektive”,- ka thënë zëdhënësja e KE-së, Maja Kociançiq, për Rrjetin e Gazetarisë Hulumtuese Ballkanike. 
 
Për të arritur këtë qëllim, vendet duhet të koncentrohen në reforma, në veçanti në sundimin e së drejtës dhe të drejtat themelore të vihen si prioritet. Për të mbështetur momentin pozitiv në përgjithësi, si dhe për të adresuar më mirë sfidat e përbashkëta, Komisioni e sheh të nevojshme të sigurojë një kuadër të veçantë dhe të dedikuar për mbështetjen e të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE, ka shtuar Kociançiq. 
 
Nga të dhënat të cilat BIRN i ka siguruar nga zyrtarët e Brukselit, në analizën për Maqedoninë thuhet: “Lidhur me Maqedoninë, BE ka thënë se pret që qeveria dhe opozita të vazhdojnë të zbatojnë marrëveshjen e tyre politike të Përzhinës  dhe prioritetet urgjente të reformave, duke e kthyer vendin e tyre në rrugën e saj drejt  BE–së, në mënyrë që Komisioni të rekomandojë hapjen e negociatave të pranimit. Brukseli pret që qeveria të vazhdojë të forcojë marrëdhëniet me fqinjët e saj”.
 
Kur jemi te zgjerimi, zëdhënësja Kociançiq ka shtuar se detajet për vendet ballkanike do të zbardhen në strategjinë që do të publikohet në muajin shkurt, ndërkaq në prill do të publikohet raporti për zgjerimin, veçmas për secilin vend ballkanik. Ballkani do të jetë në agjendë të lartë të BE-së edhe për faktin se në vitin 2018 -2019 me BE-në do të kryesojnë tre vende ballkanike, Bullgaria, Kroacia dhe Rumania, vlerëson zëdhënësja e KE-së. 
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU