Ekonomi

Investimet kapitale në 2018, Halili: Të realizohen, jo të mbeten në letër

03.01.2018 17:16

Viti 2018 pritet të jetë një vit më i mbarë sa i përket investimeve kapitale, vlerëson eksperti ekonomik, Arben Halili...

Duke pasur parasysh që pritet të ketë një stabilizim të përgjithshëm ekonomik, gjë që do të ndikonte edhe në realizimin e investimeve të huaja.
 
Por, Halili theksoi se qeveria duhet të fokusohet në zbatimin e tërësishëm të investimeve kapitale, e jo të përsëritet trendi i viteve të kaluara, që investimet kapitale të shkurtohen pastaj nëpërmjet rebalancit të buxhetit.
 
“Ajo që duhet pasur parasysh është fakti që investimet e përgjithshme kapitale të parapara në buxhet për vitin 2018 nga ana e qeverisë të implementohen në tërësi, pasi vetëm duke pasur investime kapitale produktive të cilat do të ishin me përfitime për sektorin privat por edhe për ekonominë e shtetit në përgjithësi”,- deklaroi eksperti ekonomik, Arben Halili.
 
Halili tha se ndërtimi i korridorit 8, autostradës Shkup - Bllacë janë projektet të cilat qeveria duhet t’i ketë për prioritet, pasi janë të rëndësishme për kompanitë që merren me import – eksport. 
 
“Veçanërisht ndërtimi i plotë, i tërësishëm i korridorit 8, ndërtimi i hekurudhës nga pjesa lindore në pjesën perëndimore, duke lidhur pjesën nga Bullgaria me Shqipërinë. Nga ana tjetër, ndërtimi i rrugës që do të lidhte pjesën e Shkupit, pra Bllacën me Kosovën, do të ishin pikat kyçe të cilat do të kishin efekt në zhvillimin ekonomik të vendit”,- tha eksperti ekonomik, Arben Halili.
 
Halili, si nevojë të komunitetit të biznesit gjithashtu theksoi edhe ndërtimin e pikës doganore në Jazhincë, e cila, sipas tij, do të sillte përfitime për kompanitë të cilat gravitojnë në rajonin e Pollogut.   
 
ERSAN PAJAZITI