Maqedoni

Përmbaruesit nuk ndalen, KOS: Ndryshime urgjente në Ligjin për përmbarim. Qytetarët: Më shumë paguajmë përmbaruesin se borxhin

03.01.2018 17:12

Mbi 120 mijë xhirollogari vitin e kaluar janë bllokuar nga përmbaruesit...

Të dhënat e fundit të Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se rreth 81 mijë qytetarë dhe mbi 31 mijë persona tjerë juridik deri në shtator të vitit të kaluar kanë përfunduar në “kthetrat” e përmbaruesve, njëjtë si në vitin 2016. Ligji për përmbarim pritet këtë muaj të vendoset në debat publik, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Financave janë duke e përpiluar versionin e parë të këtij, por deri tani nuk ka informacione se çfarë ndryshimesh do të propozohen. 
 
Konfederata e Organizatave Sindikale kërkon uljen e kostos për përmbarim, posta t’u dorëzojë debitorëve vendimin për mbylljen e xhirollogarive të tyre para se kjo të ndodhë realisht dhe pse jo, edhe shfuqizim i tërësishëm i kësaj veprimtarie dhe kthimi i përmbaruesve në gjykatë. 
 
“Dorëzimi i kërkesave të përmbaruesve deri tek debitorët dhe “dhurata e lartë” që përmbaruesit u faturojnë debitorëve janë ndër problemet kryesore që brengosin qytetarët. Ne me këmbëngulje do të kërkojmë ndryshime në Ligjin e ri për përmbarim, sepse prej praktikës së deritanishme është konstatuar se është shumë vështirë të dëshmohet nëse kanë dërguar ose jo në kohë përmbaruesit vendimin deri te debitorët para se t’i bllokojnë xhirollogaritë e tyre, kjo duhet ndryshuar ashtu siç duhet ndryshuar edhe pagesa e përmbarimit”,- deklaroi Marijan Ristevski nga Konfederata e Organizatave Sindikale.
 
Qytetarët e anketuar të TVM2 me padurim presin ndryshimet e Ligjit për përmbarim, me të cilin njëherë e përgjithmonë do të lirohen nga shumat e majme që përmbaruesit u marrin e që shpesh janë pothuajse sa vetë shuma e borxhit që kanë. 
 
“Shpeshherë debitorët, përveç borxhin që kanë e që nuk kanë mundur të paguajnë, duhet të paguajnë edhe kosto të madhe për përmbarim dhe në këtë drejtim duhet gjetur një zgjidhje tjetër”,- theksoi një qytetar.
 
“Populli në përgjithësi nuk ka para dhe për këtë arsye unë mendoj se duhet të punohet dhe të ketë qasje ndryshe në lidhje me debitorët, sepse është shumë e lehtë të bllokohen qytetarët, por a mund ata të kuptojnë gjendjen financiare të një debitori?”,- tha një qytetar. 
 
Kohë më parë nga Oda e Përmbaruesve për TVM-2 thanë se propozim ligji i ri parashikon kthimin e procedurës së vjetër të përmbarimit klientë, noter, përmbarues dhe avokat të detyrueshëm gjatë procedurës së përmbarimit, ndërsa në pikëpyetje është edhe heqja e pagesës së borxheve jashtë procedurës së përmbarimit që zbatohet tashmë një vit. Këtë veprimtari në Maqedoni e ushtrojnë gjithsej 99 përmbarues. 
 
REXHEP QAMILI