Maqedoni

Dhuna e 27 prillit 2017, VMRO-DPMNE: 12% e opozitës gjendet në burg

03.01.2018 17:29

VMRO-DPMNE vazhdon të këmbëngulë se të arrestuarit si të dyshuar për ndodhitë e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë...

VMRO-DPMNE vazhdon të këmbëngulë se të arrestuarit si të dyshuar për ndodhitë e 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, mes të cilëve edhe deputetët e opozitës, nuk janë terroristë, por të burgosur politikë.
 
Sipas partisë më të madhe opozitare, procedurat që po kryhen kundër atyre që i cilëson si “mbrojtës të Kushtetutës” janë të jashtëligjshme.
 
“Durllovski, Jovanovski, Damovski, Ilievski, Bozhinovska, Çavkov dhe të burgosurit e tjerë, në mes të cilëve edhe 6  deputetë, nuk janë terroristë, por të burgosur politikë. Ata asnjëherë nuk kanë bërë, as nuk kanë pasur qëllim të bëjnë diçka kundër vendit të tyre.  Personat e burgosur nga 27 prilli janë viktimë e persekutimit politik. Maqedonia nuk është shtet demokratik. Në Maqedoni për momentin 5% nga e gjithë përbërja parlamentare, ose 12 përqindëshi i opozitës është në burg. Deputetët kërcënohen drejtpërdrejt me akuza të fabrikuara për terrorizëm. Kjo është përpjekje për të ndaluar çdo mendim kritik dhe me frikë për të bllokuar funksionin kontrollues të pushtetit ligjvënës”,- thanë nga VMRO-DPMNE.
 
Partia e Mickoskit po përgatit edhe një propozim-ligj për amnisti, në të cilin do të përfshihen edhe personat e dyshuar për ngjarjet e 27 prillit të 2017-s. Amnistia ishte pjesë edhe e fjalimit vjetor në Kuvend të presidentit Ivanov.
 
Më 27 dhjetor, Gjykata Penale vazhdoi edhe për 30 ditë paraburgimin për ish-funksionarët dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së si të dyshuar për “cenim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU