Maqedoni

Sela vizitoi Gostivarin: LSDM dhe BDI të zhbllokojnë buxhetin

03.01.2018 17:49

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i bën thirrje kryeministrit, Zoran Zaev, njëkohësisht kryetar i LSDM-së, dhe Bashkimit Demokratik për Integrim...

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, i bën thirrje kryeministrit, Zoran Zaev, njëkohësisht kryetar i LSDM-së, dhe Bashkimit Demokratik për Integrim që të lejojnë këshilltarët e tyre komunalë në Gostivar të miratojnë projekt buxhetin e kësaj komune dhe të zhbllokojnë funksionimin e këtij qyteti.
 
Ai ia rikujton kryeministri Zaev maksimën e propaganduar në vazhdimësi  “një shoqëri për të gjithë,” e cila, sipas tij, nuk po zbatohet në Gostivar.
 
“Janë 100 mijë banorë të cilët i kanë lënë jashtë këtij koncepti duke vazhduar të çojnë inate politike bashkë me partnerin e tij, BDI-në, duke e lënë komunën e Gostivarit pa buxhet, pa perspektivë. Beteja politike mbaroi me zgjedhjet lokale, tani është mirë që të punohet në interes të qytetarëve dhe të mos shantazhojnë këshilltarë, askënd, por të japin kontributin e tyre që të zhbllokohet e gjithë situata e cila mbretëron këtu në Gostivar”,- deklaroi kryetari i ASh-së, Ziadin Sela.
 
Ndërkaq, kreu i Gostivarit, Arben Taravari, ftoi oponentët politikë, posaçërisht këshilltarët komunalë në opozitë që të ndjekin shembullin e këshilltarëve të Aleancës në Tetovë, të cilët mundësuan miratimin e buxhetit të kësaj komune.  
 
“E votuan pa kusht, pa asnjë problem dhe prapavijë. Kjo është ajo që na dallon neve prej BDI-së. Kjo është ajo pse jemi ne ndryshe prej tyre. Dhe problemet po vazhdojnë te ne në Gostivar, sepse ata janë mësuar të bëjnë stërkëmbëza, të bëjnë presione, të tregojnë se nuk ecë puna, të tregohen para qytetarëve se vetëm ata janë të aftë, vetëm ata kanë lindur që të udhëheqin, por kjo nuk shkon. Qytetarët veç e shohin se bllokadat nga të gjitha anët që u vijnë qytetarëve janë si pasojë e disa partive politike, udhëheqësit e të cilëve në Gostivar veç i pensionuam dhe jemi krenarë që Nevzat Bejta tashmë nuk merret me politikë”,- deklaroi kryetari i komunës së Gostivarit, Arben Taravari.
 
Ngërçi në Gostivar nuk do të ndryshojë qëndrimin e ASh-së që të vazhdojë të bëjë opozitën konstruktive duke mbështetur reformat me interes për qytetarët dhe shtetin. 
 
SHPËTIM NUREDINI