Maqedoni

Rasti “TNT”, Gruevski e Janakievski para gjykatës më 24 janar

03.01.2018 18:07

Seanca e parë për rastin “TNT” është caktuar për më 24 janar...

Në rastin e ngritur nga Prokuroria Speciale të dyshuar janë ish-kryeministri, Nikolla Gruveski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, ish-kryetari i komunës së Gazi Babës, Toni Trajkovski, si edhe katër persona të tjerë. Fillimisht për rastin “TNT” si gjykatës u caktua Ivica Stefanovski, por tashmë pritet emërtimi i një gjykatësi tjetër, pasi Stefanovski është risistemuar në Sektorin për të mitur sipas orarit të ri të punës në gjykata.
 
“TNT” ka të bëjë me rrënimin e kompleksit “Kosmos” të biznesmenit dhe kryetarit të Partisë për Ardhmëri Europiane, Fijat Canovski. Akuza për këtë rast u pranua më 17 nëntor të vitit 2017 nga Këshilli për vlerësimin e aktakuzave pranë Gjykatës Penale të Shkupit.
 
Paraprakisht më 4 nëntor, Gjykata e Apelit vendosi që bisedat e përgjuara të mund të shfrytëzohen si dëshmi në procedurë gjyqësore në lëndën “TNT” për rrënimin e kompleksit “Kosmos”. Avokatët e të akuzuarve kundërshtuan duke u arsyetuar se bisedat e përgjuara janë siguruar në mënyrë të kundërligjshme dhe me këtë shkelet privatësia e të akuzuarve. Por, prokurorët specialë pohuan se incizimet kanë vlerë dëshmuese. Sipas PPS-së, të akuzuarit në këtë rast, pra ish-funksionarët të lartë, nuk janë viktima të përgjimeve, por pjesë e pushtetit që në mënyrë të kundërligjshme ka përgjuar. 
 
BESIM ABDULLAI