Pence: ShBA-të, aleat i iranianëve të rinj që protestojnë
Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, u ka bërë thirrje iranianëve të rinj që janë të përfshirë në protesta....

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, u ka bërë thirrje iranianëve të rinj që janë të përfshirë në protestat kundër qeverisë në Teheran që t’i shohin Shtetet e Bashkuara si “aleatë të natyrshëm” në kërkesën e tyre për liri dhe demokraci.
Në një intervistë në Shtëpinë e Bardhë për Zërin e Amerikës, Pence ka thënë se “populli amerikan është përkrah popullit liridashës në Iran dhe botë, dhe mendoj se ky është moment shumë shpresëdhënës”.
“Qëllimi im, vërtetë lutjet e mia janë që populli iranian, një popullatë e re, e edukuar mirë, të kuptojë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullata e saj janë aleti i tyre i natyrshëm. Ne dëshirojmë t’i shohim ata derisa arrijnë të kenë një të ardhme të lirë dhe demokratike. Ne duam t’i shohim teksa largohen nga regjimi, i cili vazhdon të kërcënojë botën”.
Pence ka krahasuar mbështetjen për protestat e popullit iranian të ofruar nga presidenti amerikan, Donald Trump, dhe administrata e tij, me heshtjen e Shtëpisë së Bardhë kur patën nisur protestat kundër qeverisë në Iran më 2009, gjatë presidencës së Barack Obamës.
“Ata kanë shikuar drejt Shtëpisë së Bardhë më 2009 kanë shikuar udhëheqësinë amerikane dhe nuk ishte askush. Kishte një heshtje totale në administratën e Obamës”,- ka thënë Pence.
Si anëtar i Kongresit atë kohë, Pence ka thënë se ka bashkëpunuar për krijimin e një rezolute, e cila pati kaluar në mënyrë gati unanime në Senat dhe Dhomën e Përfaqësuesve, në mbështetje të protestuesve iranianë, hap për të cilin ai ka thënë se e ka nxitur administratën Obama të fillojë me ngritjen e zërit. Pence ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme për të vepruar në mbështetje të protestuesve. “Mund t’iu siguroj se Shtetet e Bashkuara janë me popullin e Iranit që dëshiron një të ardhme të lirë”,- ka thënë ai.
Por, ambasadori iranian në Kombet e Bashkuara, Gholamali Khoshroo, ka akuzuar se deklaratat e mbështetjes për protestuesit iranianë nga ana e Pences dhe Trumpit janë ndërhyrje në çështjet e brendshme të Iranit.
