Mediat në Athinë, intensifikim të zhvillimeve për emrin që në janar

04.01.2018 11:13

Mediat greke paralajmërojnë intensifikimin e zhvillimeve lidhur me çështjen për emrin, edheatë që nga muaji janar....

Mediat greke paralajmërojnë intensifikimin e zhvillimeve lidhur me çështjen për emrin, edhe atë që nga muaji janar. Vizita e zëvendëskryeministrit, Bujar Osmani, në Athinë, raundi i ri i negociatave për emrin, vizita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s në Shkup dhe takimi eventual i kryeministrave të të dy vendeve, Cipras dhe Zaev, në Davos, janë aktivitetet e parapara për janar, sipas mediave në Greqi.

Duke iu referuar burimeve të tyre, televizionet “Skaj” dhe “Action 24”, gazetat “To Vima” dhe “Ta Nea” dhe një pjesë e portaleve informative greke publikuan se të hënën ose të martën që vjen zëvendëskryeministri i Maqedonisë për Çështje Europiane, Bujar Osmani, do të vizitojë Athinën dhe do të takohet me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Koxias, dhe zëvendësin e tij, Jorgos Katrugalos.

Mediat greke bazuar në informacionet e publikuara në mediat e Maqedonisë dje publikuan se për dy javë ndërmjetësuesi, Methju Nimic, do të mbajë raund të ri të bisedave me përfaqësuesit e dy vendeve, ndërsa më 17 dhe 18 janar në Shkup, pas tre viteve do të vijë sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Sipas informatave të pakonfirmuara në mediat greke, nëse ka përparim në bisedat dhe nëse që të dy kryeministrat, edhe Zoran Zaev edhe Aleksis Cipras, shkojnë në Davos të Zvicrës, në Forumin Ekonomik Botëror prej 23 deri më 26 janar, atëherë me shumë siguri do të realizojnë edhe takim bilateral.