BDI akuza ndaj ASh-së dhe Taravarit

04.01.2018 12:24

BDI akuzon Aleancën për Shqiptarët se nga mjediset e komunës së Gostivarit....

BDI akuzon Aleancën për Shqiptarët se nga mjediset e komunës së Gostivarit krerët e këtij subjektit politik po shfrytëzojnë rastin të bëjnë deklarata politike dhe demagogjike.

“Si në çdo prononcim tjetër publik, edhe këtë herë Arben Taravari shfrytëzoi mundësinë për t’u shitur në opinion si i pafajshëm duke kërkuar fajin në adresë të gabuar dhe duke vazhduar me deklarimet e tij tashmë të njohura manipulative”,- thuhet në reagimin e BDI-së në Gostivar.

“Duke u nisur nga fakti që Ziadin Sela u vu në mbrojtje të bashkëpartiakut të tij, Arben Taravarit, opinioni por edhe vetë ai ka të drejtë të dijë se çka në të vërtetë është duke ndodhur në komunën e Gostivarit”,- thonë nga dega e BDI-së nga e cila mes tjerash pyesin se a “ka njohuri Ziadin Sela që Arben Taravari vazhdon të mos e njohë si organ legjitim kryesuesin e Këshillit Komunal, Nasir Musliun, i zgjedhur në mënyrë demokratike? A ka njohuri Ziadin Sela që në kohën kur duhej të miratohej buxheti i komunës së Gostivarit, Arben Taravari merrej me obstruksione mbi Këshillin e Komunës së Gostivarit, duke mos e respektuar vullnetin e qytetarëve? A ka njohuri Ziadin Sela që Inspektorati i Arsimit ka sjellë vendim me të cilin kthehen në detyrë drejtorët e shkollave që u shkarkuan jashtë ligjit nga kryetari i komunës, Arben Taravari? A është në dijeni Ziadin Sela që mbi 70 aktivistë partiakë janë punësuar pa asnjë procedurë ligjore dhe pa nevojë po marrin rroga nga taksat dhe tatimet e qytetarëve të Gostivarit? Apo a është në dijeni Ziadin Sela që Arben Taravari bën nepotizëm në komunën e Gostivarit duke punësuar dhe emëruar në poste drejtuese njerëz të afërt, siç është rasti me dhëndrin e tij, apo kunatin në Njësitin e Zjarrfikësve? Është mirë Ziadin Sela të informohesh më mirë se si kuadri i partisë tënde sot po udhëheq me komunën e Gostivarit. Se si komunës së Gostivarit po i rikthehet regjimi si në kohën e sistemit monist. Se si, Arben Taravari në shekullin XXI po instalon dhunë institucionale duke bërë  diferencime politike dhe duke ushtruar diktaturë”,- kanë theksuar nga dega e BDI-së në Gostivar.