Maqedoni
Kontesti rreth emrit, mediat greke e gjermane: Dinamikë e re në bisedime
04.01.2018 15:02
Po krijohet një dinamikë e re në bisedimet mes Shkupit dhe Athinës për kontestin rreth emrit...

Po krijohet një dinamikë e re në bisedimet mes Shkupit dhe Athinës për kontestin rreth emrit, teksa qeveritë e të dyja vendeve kërkojnë mënyra për përshpejtimin e gjetjes së një zgjidhjeje, shkruan Agjencia gjermane DPA, duke u thirrur nga burime qeveritare në Athinë.
Sipas të njëjtave burime, janë shtuar shumë edhe presionet amerikane në këtë drejtim, pasi ShBA-të vlerësojnë se zgjidhja e çështjes së emrit përshpejton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke ndaluar kështu edhe ndikimin rus në Maqedoni. DPA shkruan se zgjidhje për emrin e Maqedonisë mund të jenë emrat: Maqedonia e Epërme, Maqedonia e Re apo Maqedonia Veriore. Por, gjithsesi, nga Athina paralajmërojnë se është rëndë që të pritet zgjidhje e shpejtë, megjithëse është evidente se ka lëvizje përpara, kjo bazuar edhe në paralajmërimet për takime të shtuara gjatë periudhës së ardhshme.
Mediat e njohura greke “To Vima” dhe “Ta Nea” dhe televizionet “Skaj” dhe “Action 24” publikuan se të hënën ose të martën zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, do ta vizitojë Athinën dhe do të takohet me shefin e Diplomacisë greke, Nikos Koxias, dhe zëvendësin e tij, Jorgos Katrugalos.
Pas dy javësh, ndërmjetësuesi, Methju Nimic, do të mbajë raund të ri të bisedave me përfaqësuesit e dy vendeve, ndërsa më 17 dhe 18 janar, pas tre viteve, në Shkup do të vijë sekretari i përgjithshëm i NATO-s. Po sipas mediave greke, që gjithsesi mbështeten në informata të pakonfirmuara, nëse ka përparim në bisedime, mund të ketë edhe një takim dypalësh mes kryeministrave, Zoran Zaev edhe Aleksis Cipras, në Davos, Zvicër, në Forumin Ekonomik Botëror që mbahet prej 23 deri në 26 janar.
FLUTURA LATIFI
