Filloi afati shtesë i legalizimit, ftohen qytetarët të plotësojnë dokumentacionin
Edhe njëherë shtyhet afati për legalizimin e objekteve pa leje në Maqedoni....

Edhe njëherë shtyhet afati për legalizimin e objekteve pa leje në Maqedoni. Prej sot e deri në fund të këtij viti të gjithë qytetarët do të mund të legalizojnë objektet e tyre të paligjshme në dy faza, njofton “TVM2”.
Në gjashtëmujorin e parë është planifikuar të mund të bëhet plotësimi i dokumentacionit të kërkesave të qytetarëve të cilët më herët nuk e kanë përfituar të drejtën për legalizim, ndërsa në pjesën e dytë të këtij viti parashikohet për dorëzimin e kërkesave të reja të qytetarëve të cilët deri tani nuk e kanë bërë këtë. Përfitimi i të drejtës për legalizim të objekteve vlen vetëm për objektet ekzistuese të ndërtuara para muajit mars të vitit 2011, sqarojnë nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, ndërsa ndër dokumentacionet e nevojshme kërkohet elaborat, kopje e letërnjoftimit dhe faturave të paguara të ujit ose rrymës.
Ligji për legalizim për herë të parë u miratua në shkurt të vitit të 2011, ndërsa deri më sot i njëjti 10 herë pësoi ndryshime. Ndër ndryshimet e fundit është dhe shtyrja e afatit për legalizim për këtë vit të miratuar në Kuvend muajin e kaluar e që ka për qëllim të vendos fund me kaosin urban. Sipas kërkesave të dorëzuara të deritanishme për legalizim supozohet se në vend ekzistojnë mbi 430 mijë objekte të paligjshme, ndërsa rreth 200 mijë prej tyre supozohet që janë legalizuar brenda këtyre 6 viteve. (Rexhep Qamili, TVM2)
