Kuvendi: “Dritë jeshile” për akademinë e sportit
Në këtë propozim-ligj përfshihen katër disiplina sportive: futbolli, basketbolli, hendbolli dhe tenisi..

Propozim-ligji për Akademinë e Sportit, mori “dritë jeshile” nga Komisioni Parlamentar i Arsimit dhe Shkencës. Në këtë propozim-ligj përfshihen katër disiplina sportive: futbolli, basketbolli, hendbolli dhe tenisi.
Ky hap, sipas ministrit të Arsimit, Abdilaqim Ademi, do të ketë për qëllim kualifimin e talenteve të rinj sportiv.
“Qëllimi përfundimtar është sërish arsimimi dhe krijimi i sportistëve kulminant, të njohur për nga mënyra e lojës, bashkëpunimit dhe respektimit të vlerave dhe idealeve olimpike”, deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi.
Kjo iniciativë e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, u përshëndet edhe nga deputetet, të cilët kërkuan që në këtë iniciativë të futen më shumë disiplina sportive.
“Është një moment i ri, gjegjësisht specializim i hershëm i sportistëve. Ne deri më tani nuk kishim diçka të tillë. Mendoj se është ide e mirë dhe shpresoj se do të zgjerohet edhe në disa disiplina tjera sportive, e jo të kufizohet vetëm në këto katër disiplina”, theksoi Trajçe Grkov nga VMRO-DPMNE.
“Kemi marrë medalje në dy sporte dhe të cilat nuk janë të përfshira. Kemi marrë medalje nga një boksier i jonë edhe medalje olimpike, i cili është nga Shkupi, kemi marrë medalje edhe në mundje dhe pikërisht ato sportist janë të Shkupit dhe besoj se kemi kualitete dhe talent që edhe ato të inkorporohen në ligj”, potencoi Ejup Rustemi nga BDI.
Deputetët, njëherit propozuan zgjerimin e paralele të Akademisë së Sportit nëpër të gjitha qytetet, me qëllim të përfshirjes sa më inkluzive të sportistëve të rinj. (Zejxhane Osmani, TVM2)
