Dhuna në Kuvend, fletëarrest ndërkombëtar për pesë të dyshuar
Ndaj pesë shtetasve të Maqedonisë të dyshuar për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar...

Ndaj pesë shtetasve të Maqedonisë të dyshuar për dhunën në Kuvend më 27 prill të vitit të kaluar, është shpallur tashmë fletarrest ndërkombëtar, njofton TVM2.
Ministria e Brendshme ka publikuar se në kërkim nga Interpoli janë shtetasit: Nikolla Mitrevski, Aleksandar Vasilevski, Dejan Davidovski, Mlladen Dodeski dhe Mitre Pitropovski, të cilët akuzohen për veprën “rrezikim terrorist të rendit kushtetues dhe sigurisë”.
Gjykata u ka caktuar në mungesë të pesë këtyre shtetasve masën e paraburgimit, e kjo do të thotë se menjëherë pas arrestimit ata do të transferohen në burgun e Shutkës. Janë 34 persona që akuzohen për sulmin ndaj Kuvendit, deputetëve e gazetarëve, prillin e kaluar, në atë që në opinion njihet si e “E enjtja e përgjakshme”. Pesë janë ende në arrati, tre gjenden në burgim shtëpiak dhe 26 janë në paraburgim, që në fund të vitit që lamë pas iu zgjat edhe për 30 ditë. Mes të paraburgosurve janë edhe gjashtë deputetë të VMRO-DPMNE-së, ish-drejtori i BSP-së, Mitko Çavkov, organizatorët e protestave, aktivistë dhe të dyshuar të tjerë.
