Botë

Stuhitë paralizojnë Europën, tre viktima nga mot i keq në Spanjë e Francë

04.01.2018 16:10

Stuhitë e dimrit që kanë përfshire gjithë Europën Perëndimore kanë shkaktuar deri tani tre viktima dhe probleme të shumta...

Dy njerëz u mbytën në bregun verior bask të Spanjës, pasi u zhdukën nga një valë e madhe dhe një skiator u vra nga një pemë që ra në Alpet franceze. Era në Francë arriti shpejtësinë prej 147km/h.
 
Pesëmbëdhjetë persona u plagosën në incidente në të gjithë vendin, katër në gjendje më të rëndë. Në Zvicër, si pasojë e erës së fortë, një vagon treni ka dalë nga shinat dhe janë lënduar tetë persona.
 
Situatë e rëndë nga moti i keq edhe në Gjermani, Austri, Francë, Holandë, Britaninë e Madhe dhe Irlandë. Dhjetëra mijëra njerëz janë prekur nga ndërprerjet e energjisë dhe transporti ajror është ndërprerë në shumë vende. Ekipet e emergjencës mezi arrijnë të përballen me situatën. 
 
“Zjarrfikësit na kanë thirrur kah ora 6 dhe thanë se ka rënë një dru, kemi ardhur këtu për të instaluar sinjalizimin dhe ta bllokojmë rrugën. Pastaj pritëm që të agojë dita për t’i numëruar dëmet”,- tha mirëmbajtësi i mjedisit, Philippe Quinaut.
 
“Kemi pasur më pak thirrje në krahasim me atë që e kemi pasur në raste tjera kur ka pasur erë të fortë. Ndonjëherë kemi rreth 200 thirrje, por mendoj se në fund të ditës do t’i bëjmë rreth 50 intervenime të ngjashme me këtë”,- theksoi zjarrfikësi, Philippe Brechet.
 
BELINDA KOKA-ADEMI