Osmani: Të përkushtuar në reforma, të na njihen meritat
Maqedonia pret që gjatë drejtimit bullgar me BE-në të marrë rekomandim të mirë....

Maqedonia pret që gjatë drejtimit bullgar me BE-në të marrë rekomandim të mirë e më pas në qershor edhe datë për fillimin e bisedimeve nga KE. Zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani, në takimin me ambasadorin e Bullgarisë ka pohuar se presidenca bullgare me BE-në është shans historik për Maqedoninë, duke e ditur se prioritet kyç i Sofjes zyrtare është zgjerimi i BE-së. Ambasadori bullgar Petkov njoftoi se ai do t’i shpalosë prioritetet në Kuvendin republikan pas manifestimit zyrtar në Sofje për marrjen e presidencës.
“Nuk kërkojmë asgjë jashtë kontributit dhe jashtë meritave që i kemi si shtet, mendoj se jemi të përgatitur dhe jemi të përkushtuar t’i bëjmë reformat e nevojshme, t’i mbyllim çështjet politike dhe të kapim hapin e duhur drejt integrimeve për të siguruar një perspektivë më të mirë për qytetarët e Maqedonisë”,- deklaroi zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
“Fillimi i presidencës së Bullgarisë me BE-së do të manifestohet zyrtarisht më 11 janar në Sofje. Ndërsa unë personalisht do t’i paraqes prioritetet e Presidencës bullgare më 15 janar në Parlament në Komisionin për eurointegrime”,- tha ambasadori i Bullgarisë në Maqedoni, Ivan Velikov Petkov.
PLANI 3-6-9, OSMANI: KONSENSUS NACIONAL, ME RËNDËSI SJELLJA E OPOZITËS
Zëvendëskryeministri Osmani potencoi nevojën për një konsensus nacional rreth realizimit të planit reformues 3-6-9, aq të rëndësishëm për procesin eurointegrues.
“Sfida më e madhe me të cilën ballafaqohemi tani është arritja e konsensusit, partiak dhe nacional. Shumë çështje të cilat duhet të miratohen në Parlament kërkojnë shumicë të kualifikuar parlamentare dhe është shumë me rëndësi se si do të sillet opozita në periudhën e ardhshme”,- tha zëvendëskryeministri për eurointegrime, Bujar Osmani.
Osmani, ndërkohë, nuk ka dashur të precizojë asgjë në lajmet rreth vizitës së tij zyrtare në Athinë, por theksoi nevojën e takimeve të ndërsjella me palën greke. Sa i përket referendumit për emrin, Osmani tha se fillimisht duhet të krijohet një mirëbesim dhe ambient për të zgjidhur kontestin, siç tha ai, kompleks dhe emocional, pastaj të vendoset nëse do të shkohet me referendum, mekanizma parlamentar apo me forma të tjera juridike. (Nermin Mulaki – Fejzullahu, TVM2)
