Botë
Bora mbulon Shqipërinë, bllokohen disa fshatra në veri
04.01.2018 17:18
Zona verilindore e Shqipërisë është përfshirë ditën e sotme nga reshjet e dëborës, që shkaktuan edhe problem me qarkullimin.

Më problematike situata ka qenë në qarkun e Dibrës, ku trashësia e dëborës ka arritur deri në 50 centimetra në disa zona, duke sjellë probleme në qarkullim. Rrugët e bllokuara nga dëbora janë ato që të çojnë në Kalanë e Dodës, në Selishtë, Lurë etj, duke izoluar fshatrat.
Ndërkohë, rruga nacionale nuk ka paraqitur ende asnjë problem. Qarku i Korçës po ashtu është mbuluar nga bora. Reshjet intensive kanë bërë që trashësia e borës të arrijë deri në 25 cm në fshatin turistik të Dardhës dhe në qafën e Qarrit. Akset nacionale në qarkun e Korçës janë të gjitha të kalueshme. Akset dytësore janë të kalueshme, por pjesërisht nevojitet përdorimi i zinxhirëve, konkretisht në rrugën Dardhë – Voskopojë - Vithkuq, si edhe Leskovik - Gërmenj.
Në segmentin Qafë Thanë - Kapshticë bora arrin në 8 - 10 cm. Reshjet e dendura të dëborës gjatë natës kanë mbuluar edhe disa fshatra malore të Librazhdit, Gramshit dhe Elbasanit. Trashësia e dëborës shkon nga 10 deri në 30 cm, duke krijuar vështirësi në qarkullimin e makinave. Situatë më problematike raportohet në aksin Lunik - Stëblevë në Bashkinë Librazhd, ndërsa aksi kombëtar Përrenjas- Qafë Thanë është i kalueshëm.
LULJETA NDOKA
