Maqedoni

Protestat e paralajmëruara kundër emrit, Ruzhin: Protestat, të pritshme. Vendos shumica

04.01.2018 17:51

Optimizmi i Shkupit dhe Athinës për të zgjidhur brenda gjashtë muajsh kontestin e pazgjidhshëm për disa dekada...

Optimizmi i Shkupit dhe Athinës për të zgjidhur brenda gjashtë muajsh kontestin e pazgjidhshëm për disa dekada, nuk është mirëpritur nga disa subjekte, organizata dhe media si në vend po ashtu edhe në Greqi. Shoqata dhe organizata të ndryshme greke kanë paralajmëruar protesta në disa qytete veriore të Greqisë. 
 
Mirëpo, ish-diplomati dhe profesori universitar, Nano Ruzhin, thotë se kjo dukuri është normale në shoqëritë demokratike, por kundërshtimet e grupeve të ndryshme të interesit nuk duhet të pengojnë realizimin e përcaktimeve strategjike dhe vullnetin e shumicës. 
 
“Është normale që diku të ketë edhe grumbullim nënshkrimesh dhe forma të ndryshme fushatash kundër asaj që të arrihet zgjidhja e kontestit. Diku do të ketë edhe shoqata që konsiderojnë se Maqedonia nuk duhet të jetë anëtare e NATO-s, me orientime të ndryshme pacifiste, anti-NATO, anti-greke dhe anti-maqedonase nga ana tjetër, por kjo është pjesë e atmosferës demokratike, që nuk duhet konsideruar si rrethanë vështirësuese, marrë parasysh se kur duhet të zgjidhen çështje të caktuara me rëndësi strategjike shumica vendos se si duhet të jetë rrjedha”,- deklaroi profesori universitar, Nano Ruzhin.
 
Ruzhin konsideron se Greqia dhe Maqedonia për herë të parë po tregohen të vendosura që së bashku ta zgjidhin këtë problem. Sipas tij, kjo ndodh falë ndërrimit të regjimit të mëparshëm populist të Gruevskit dhe faktit që në Greqi nuk pritet të ketë zgjedhje së afërmi.
 
“Mendoj se fillimisht ekziston konsensus mes dy qeverive të dy vendeve fqinje dhe e dyta, shumica e maqedonasve dhe bashkësive të tjera etnike pranojnë ndryshime të caktuara që nuk do të prekin çështjet identitare, siç ndodh me përcaktimin gjeografik. Ndërsa në Greqi, gjithsesi se do të ekzistojnë ambicie dhe interesa politike të atyre që nuk ia dolën të zgjidhin çështjen për t’u imponuar me programe të caktuara politike për përfitime të caktuara”,- theksoi profesori universitar, Nano Ruzhin.
 
Kryeministri maqedonas dhe ai grek, ditëve të fundit, janë deklaruar optimistë se gjatë këtij viti do të arrihet zgjidhje për kontestin rreth emrit. Në ndërkohë, disa organizata patriotike greke kundërshtojnë përdorimin e termit “Maqedoni” si pjesë përbërëse e emrit dhe kanë filluar fushatën “Maqedoni do të thotë Greqi”. 
 
SHPËTIM NUREDINI