Maqedoni

Ndotja e ajrit, deponia “Drislla” dënohet me 8,500 euro

04.01.2018 18:23

Deponia “Drislla” do të paguajë një gjobë prej 8,500 euro për ndotjen e ajrit gjatë djegies së mbeturinave mjekësore...

Inspektorët shtetërorë të mjedisit zbuluan se është tejkaluar kufizimi i emetimit të furrës për djegien e mbetjeve mjekësore dhe për këtë deponia duhet të mbajë përgjegjësi, të vendosë deri në shkurt filtrat e nevojshëm për këtë procedurë djegieje dhe mund të djegë mbeturina mjekësore vetëm tetë orë në ditë, jo në tre turne, siç ka qenë deri më tani, dhe vetëm në ditët kur kushtet atmosferike janë të përshtatshme.
 
"Gjobat variojnë deri në 25 mijë euro. Komisioni kundërvajtës pas arritjes së marrëveshjes solli vendim që deponia të dënohet me 8.500 euro. Kanë udhëzime në afat prej 90 ditëve të vendosin filtra dhe ta zgjidhin problemin. Nuk kemi variant rezervë për mbeturinat mjekësore, ato nga e gjithë Maqedonia dërgohet në “Drislla” dhe mund të bëhet problem më i madh”,- theksoi drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor, Mirosllav Bogdanovski.
 
Bogdanovski ftoi qytetarët që të paraqesin në telefon personat që ndezin zjarre duke ndotur ambientin.
 
“Në numrin e telefonit 193 të lajmërojnë për ndotësit, ata që ndezin zjarre, djegin prona publike. Në linjën telefonike ka 24 orë kujdestari, që do të thotë qytetarët në çdo kohë mund të paraqesin çfarëdo lloj shkelje të kësaj natyre në rrethin ku ata jetojnë”,- u shpreh drejtori i Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor, Mirosllav Bogdanovski. 
 
Në pajtim me Ligjin për cilësi të ajrit ambiental, inspektorati ka realizuar 15 mbikëqyrje të jashtëzakonshme në Shkup dhe Tetovë. Kjo jep shpresë se më në fund institucionet do të fillojnë të veprojnë për të mbrojtur qytetarët nga ndotja shtesë që shkaktohet nga subjektet e pandërgjegjshme, marrë parasysh edhe faktin se në tre vitet e kaluara, asnjë subjekt juridik nuk është dënuar për dëmin që ua shkaktonte qytetarëve.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU