Ekonomi
Kartelat elektronike, Bislimi: Ofrojnë siguri e shpejtësi në transaksione; qytetarët: Kur ke para, njësoj është si në kartelë si kesh
04.01.2018 18:33
Të dhënat e Bankës Popullore të Maqedonisë tregojnë se numri i përgjithshëm i kartelave elektronike të lëshuara arrin në 1,862,240...

Shumica e përdoruesve janë persona fizikë. Kartela për blerje online posedojnë 19,348 persona, nga të cilët 19,300 persona fizikë dhe 48 persona juridikë. Profesori universitar, Sami Bislimi, thotë se kartelat elektronike u sjellin shumë benefit qytetarëve, përfshirë sigurinë dhe transaksionet më të shpejta.
“Shkaku i paraqitjes së kartelave elektronike është për këtë qëllim, është siguria, sepse bartja e parave prej një subjekti në subjekt tjetër ka qarkullim të madh, por dhe emetimi i parave paraqet kosto. Është e pamundur të manipulohet dhe harxhimi për emetimin e parave është tejmase e madhe. Benefitet janë siguria e qytetarit dhe harxhimet shumë më të vogla në krahasim me paratë e gatshme. Benefiti kryesor është se paratë elektronike sepse paratë e deponuara në banka u paraqesin potencial kreditor institucioneve përkatëse”,- deklaroi profesori universitar, Sami Bislimi.
Nga ana tjetër, ka qytetar të kënaqur nga shërbimet elektronike sa i përket pagesave elektronike, por ka të tjerë që statusi social nuk ua mundëson shfrytëzimin e kartelave elektronike.
“Më mirë është me kartelë. Merr atë që duhet dhe nuk e ke dert, se sa duhet, çfarë duhet, sa me të dhënë sa me të kthyer. Për mua është më mirë me kartelë, më sigurt dhe më mirë prej hajdutëve”,- tha një qytetar.
“Varësisht ku, edhe me kesh edhe me kartelë. Nëse ke para, në cilëndo mënyrë është mirë”,- theksoi një qytetar.
“Është më lehtë, sepse gjithkund nuk ka me kartela. Të papunët shumica s’kanë kartela. Punoj privat dhe më obligohet të paguaj me kesh”,- u shpreh një qytetar.
Prej totalit të kartave të lëshuara, 372,413 janë kartela kreditore nga të cilat 362,591 janë për persona fizikë dhe 9,532 janë për personat juridikë.
GAZMEND REXHEPI
