Gjykata e Selanikut: Boshkovski e Grujovski të ekstradohen në RM

05.01.2018 11:58

Pas katër seancave gjyqësore, e ku janë marrë në pyetje dy të akuzuarit, Goran Grujevski dhe Nikolla Boshkovski....

Këshilli i Gjykatësve pranë Gjykatës në Selanik ka vendosur që dy agjentët nga  Maqedonia, Goran Grujovski dhe Nikolla Boshkovski, të ekstradohen në Maqedoni. Vendimi që ishte marrë paraprakisht iu shpall të akuzuarve pasi është siguruar përkthyes prej gjuhës greke në atë maqedonase, por pas dyerve të mbyllura për opinionin. Dy të akuzuarit vendimin për ekstradimin e tyre menjëherë e kanë ankimuar në Gjykatën Supreme në Athinë.

Seanca e fundit për këtë rast u mbajt më 22 dhjetor dhe u caktua që të kumtohet vendimi i Këshillit të Gjykatësve. Përveç për ekstradim, kundër  Grujevskit dhe Boshkovskit procedohet edhe lënda për pasaportat e falsifikuara, me të cilat u kapën nga policia greke në aeroportin  e Selanikut gjatë tentimit që të udhëtojnë drejt Budapestit. Pas tre anulimeve, për këtë rast gjykimi pritet të mbahet më 17 maj. Dy të akuzuarit më herët kishin parashtruar kërkesa për azil në Greqi.

Krahas falsifikimit të pasaportave, Grujovski dhe Boshkovski akuzohen edhe për shkatërrim të dokumenteve dhe për të njëjtën vepër penale, më 8 nëntor, Gjykata Penale e ka shpallur aktvendimin për shtatë të akuzuarit në rastin “Fortesa 2” si rast i parë nga dhjetëra raste të Prokurorisë Speciale Publike. Goran Grujovski, ish-shef në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim, u dënua me 1 vit e gjysmë burg, ndërkaq gjashtë zyrtarët tjerë u dënuan me burgim me kusht, nëse nuk e përsërisin veprën. Kundër Grujovskit dhe Boshkovskit në Maqedoni më 17 janar do të fillojë gjykimi edhe për lëndën “Talir” dhe “Fortesa”, ku të akuzuar janë edhe ish-ministrja, Gordana Jankullovska, ish-shefi i DSK-së, Sasho Mijallkov, dhe shefi i kabinetit të tij, Toni Jakimovski. Rasti “Target” dhe “Fortesa” kanë të bëjnë me shkatërrimin e dy sistemeve të përgjimit në MPB dhe ndjekjen e mbi 5000 numrave telefonikë pa urdhër gjyqësor. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)