Në OKB do të diskutohet për protestat në Iran
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka planifikuar që sot të mbajë takimin emergjent....

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka planifikuar që sot të mbajë takimin emergjent për protestat në rrugët e Iranit, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara dhe kundërshtimit të fuqishëm nga ana e Rusisë.
Ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley, ka kërkuar takim më herët gjatë javës, në atë që ajo e ka cilësuar si përpjekje për të “përforcuar” mesazhin për protestuesit kundër qeverisë, ndonëse Rusia ka thënë se një takim i tillë do të jetë “i dëmshëm dhe destruktiv”.
Zëvendësministri i jashtëm rus, Sergei Ryabkov, është cituar të ketë thënë se “ne nuk shohim ndonjë rol të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në këtë çështje, punët e brendshme të Iranit nuk kanë të bëjnë asgjë me rolin e këtij Këshilli”. Ryabkov ka thënë se çdo propozim i ShBA-së për të rritur sanksionet e OKB-së ndaj Iranit për shkak të protestave do të ishte “i paligjshëm”.
Ambasadori i Iranit në OKB, Gholamali Khoshroo, po ashtu ka deklaruar se ShBA-ja është duke ndërhyrë në çështjet e brendshme të këtij vendi. Ky takim do të realizohet pasi protestat kundër qeverisë kanë hyrë në javën e dytë në Teheran dhe qytete të tjera, ndonëse ka prezencë të madhe të forcave policore.
