Maqedoni

Kontesti për emrin, Boshnjakovski: Akoma nuk ka propozim konkret

05.01.2018 16:39

Maqedonia dhe Greqia janë duke punuar në ndërtimin e besimit midis dy qeverive....

Maqedonia dhe Greqia janë duke punuar në ndërtimin e besimit midis dy qeverive, ndërkaq akoma nuk po bisedohet për emër potencial, deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski, duke sqaruar aktivitetet lidhur me bisedimet midis Shkupit dhe Athinës për zgjidhjen e çështjes së emrit. Ai shtoi se negociatat midis dy vendeve janë transparente që po zhvillohen nën ombrellën e KB-së, ndërsa qëllimi është zgjidhja të arrihet në interes të të gjithëve.
 
“Negociatat po zhvillohen nën patronatin e Kombeve të Bashkuara me ndërmjetësim të Methju Nimicit. Procesi është publik dhe transparent. Gjithnjë derisa nuk ka diçka konkrete dhe specifike nuk do të nxjerrim në ankand emra potencialë”,- deklaroi zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Sa i takon emrit të aeroportit “Aleksandri i Madh”, Boshnjakovski deklaroi se po punohet në drejtim të përshtatjes së qëndrimeve sipas agjendës euroatlantike.
 
“Po punojmë intensivisht në ndërtimin e masave të besimit. Gjithçka që ndodhi gjatë periudhës së kaluar është në atë drejtim. Qeveria e Maqedonisë pret të gjitha vendimet e ardhshme të sinkronizohen dhe në pajtueshmëri nga të dyja anët, si dhe ta projektojnë dinamikën e paraparë të proceseve integruese euroatlantike të Maqedonisë”,- tha zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Qeveria, siç theksoi, në mënyrë të hapur dhe të qartë qëndron në pozitën se nuk ka paragjykime të bisedojë për të gjitha çështjet dhe zgjidhjet të cilat do të thonë avancim të marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe të cilat janë në interes të qytetarëve.
 
NAIM RAMADANI