Maqedoni

Mickoski: VMRO kundër ndryshimit të emrit

05.01.2018 17:11

VMRO-DPMNE është për zgjidhje të kontestit me Greqinë, por kundër ndryshimit të emrit kushtetues....

Kryetari i ri i kësaj partie, Hristijan Mickovski, deklaroi për TVM se duhet gjetur zgjidhje dinjitoze për ta mbyllur këtë proces. Sipas tij, VMRO mbetet në qëndrimin se çfarëdolloj zgjidhje e mundshme do të duhet të hidhet në referendum. Mickoski akuzoi pushtetin aktual se ka lënë VMRO-DPMNE-në jashtë këtij procesi edhe pse kjo çështje kërkon konsensus.
 
“VMRO-DPMNE për momentin është jashtë procesit, pasi askush nuk e ka ftuar që të jetë pjesë e procesit, madje s’ka as informatë se çfarë po ndodh. Nuk e dimë se çfarë ndodh zyrtarisht dhe as jo zyrtarisht. Ajo që VMRO-DPMNE e merr si informatë rreth procesit janë konferencat për shtyp, shkrimet nëpër media, gjysmë të vërteta. Ndoshta janë edhe të vërteta, por nuk e dimë si t’i kualifikojmë, pasi nuk kemi informatë reale dhe thelbësore nga ana tjetër. Nuk jemi pjesë e këtij procesi”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Kreu i VMRO-DPMNE-së tha se koalicioni i kryesuar nga kjo parti do të bëjë opozitën konstruktive, por nuk diti të thotë se kur do të kthehet grupi i deputetëve në punimet e Kuvendit. Paralajmëroi propozim ligj për të amnistuar të akuzuarit për ngjarjet e dhunshme në Kuvendin republikan, pasi, sipas tij, veprimi ka qenë reaksion i mënyrës se si u zgjodh kryetari i Kuvendit.   
 
“Grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së parasheh disa hapa dhe veprime në periudhën që pason. Një ndër skenarët që po shqyrtohet është edhe parashtrimi i një ligji të tillë në procedurë parlamentare”,- u shpreh kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski kritikoi politikat e qeverisë aktuale dhe ngecjen në ekonomi. Sipas tij, VMRO-DPMNE do të ofrojë politika të reja për të frenuar politikat e gabuara të kësaj qeverie. Ai paralajmëroi ndryshime brendapartiake dhe qasje të re politike në harmoni me përcaktimet e një partie të djathë bashkëkohore. 
 
SHPËTIM NUREDINI