Maqedoni

Lëvizja BESA, dorëhiqet nënkryetari, Zeqirja Ibrahimi

05.01.2018 17:34

Nënkryetari i Lëvizjes BESA, Zeqirja Ibrahimi, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga ky post....

Ai me një vendim të tillë e ka njoftuar Kryesinë Qendrore dhe Këshillin Qendror partiak, duke bërë të ditur se nuk ka ambicie për postin e kryetarit të partisë. 
 
“Në vigjilje të mbajtjes së mbledhjes së rregullt të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA, ndërsa në frymë të konstruktivitetit, vetëmohimit dhe gatishmërisë për zhbllokimin e organeve të Lëvizjes dhe për rihapjen e procesit për zgjedhje të brendshme, deklaroj se nga dita e sotme (5 janar 2017) jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra "nënkryetar i Lëvizjes BESA",- tha Ibrahimi. 
 
Vendimi për dorëheqje vjen për shkak të mosarritjes së fitores në zgjedhjet lokale në të cilat Ibrahimi ishte kandidat për kryetar të komunës së Çairit, dhe siç thotë ai, edhe pse BESA shënoi rritje të votës nuk arriti fitore ndaj koalicionit LSDM-BDI, prandaj ka vendosur të bartë përgjegjësi politike. 
 
“Prandaj, duke e njohur këtë rezultat - sido të arritur, në shenjë të respektimit të vlerave të vendosura nga Lëvizja BESA, që "të merret përgjegjësia politike për rezultatet", po jap dorëheqje, duke dhënë mesazhin se askush në BESË nuk është më i rëndësishëm se BESA dhe askush në BESË nuk është i pazëvendësueshëm. Me këtë rast deklaroj se, duke e respektuar këtë përgjegjësi politike, mbetem jashtë edhe nga gara për kryetar të Lëvizjes BESA në Kongresin e Parë të Lëvizjes”,- theksoi Ibrahimi.
 
Sipas tij, BESA duhet të dallohet nga të tjerët edhe në këtë pikë, andaj këtë ai e pret kurdoherë edhe nga të gjithë kolegët e tjerë të BESËS.
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU