Botë

Korçë, katedralja ortodokse përfshihet nga flakët

06.01.2018 13:29

Katedralja ortodokse e Korçës është përfshirë mesditën e kësaj të shtune nga flakët...

Katedralja ortodokse e Korçës është përfshirë mesditën e kësaj të shtune nga flakët, pas zjarrit të rënë në vendin ku ndizen qirinjtë.

Nga pamje shihet tymi që del nga dritarja e katedrales, duke shkaktuar panik ndër besimtarët që ndodheshin atje për të kremtuar ditën e ujit të bekuar.

Ende nuk janë dhënë zyrtarisht shkaqet e zjarrit, por mendohet se ai është shkaktuar në mënyrë aksidentale, nga qirinjtë e ndezur nga besimtarët.

Sikurse shihet edhe ne pamje, është dëmtuar pjesa ku ndizen qirinjtë, ndërsa bëhet me dije se nuk janë prekur ikonat e katedrales, pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, të cilat izoluan menjëherë flakët.

E hapur që në orët e para të mëngjesit me rastin e ditës së Ujit të bekuar, pjesa e brendshme e kishës është mbyllur pas rënies së zjarrit, ndërsa gjendja është stabilizuar rreth orës 12:30. Edhe nga policia e Korçës deklarohet se kanë qenë pikërisht qirinjtë që kanë shkaktuar zjarrin.

Në katedrale ishte i pranishëm në mëngjesin e sotëm edhe Presidenti Meta me rastin e ditës së Ujit të Bekuar, por pa qenë dëshmitar i situatës që shkaktoi mjaft panik ndër besimtarët.

Meta u takua në Mitropolinë e Korçes me Imzot Johan Pelushin, ndërsa uroi besimtarët në Ditën e Ujit të Bekuar. “Prania e kryegjyshit botëror të Bektashinjve, tregues i harmonisë sonë të shkëlqyer fetare” tha Meta.

LULJETA NDOKA