Maqedoni
Zgjidhja e kontestit rreth emrit: Aktivitet i përforcuar diplomatik për mbylljen e kontestit; Mediat greke spekulojnë me propozimet
06.01.2018 17:07
Përpjketjet për zgjidhjen e kontestit të emrit po fitojnë në intesitet në tremujorin e parë të këtij viti...

Vizita zyrtare e zëv/kryeministrit, Bujar Osmani, më 9 janar, në Athinë, e ndjekur nga vizita e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili pritet të vijë në Shkup më 17 dhe 18 janar, si dhe rrethi i ri i bisedimeve me ndërmjetësuesin Metju Nimic, më 19 janar, paraqesin aktivitet të përforcuar diplomatik për mbylljen e kontestit shumë vjeçar mes Shkupit dhe Athinës për cështjen e emrit kushtetues të Maqedonisë.
Në hovin e këtyre zhvillimeve nuk përjashtohet mundësia e një takimi Zaev-Cipras, gjatë Forumit Ekonomik Botëror, në Davos, që do të mbahet më 19 janar.
Qeveritë e dy vendeve veç më kanë shprehur gadishmëri për zgjidhjen e kësaj “Nyje Gordiane”, ndërsa mediat greke kanë filluar të spekulojnë me emrat e mundshëm që pritet të vihen në tryezë nga negociatori Nimic.
Ndër emrat më të përfolur janë opsionet që janë propozuar deri më tani si zgjidhje të mundshme dhe ato janë: “Maqedonia e Veriut”, “Maqedonia e Epërme”, “Maqedonia e Re”.
Gazeta greke “Real neu”, e mbështetur në burime zyrtare, madje del me informacion se këto do të jenë tre propozimet që do të vihen në tryezë nga negociatori Nimic me negociuesit e të dy vendeve, Vasko Naumovski dhe Adamantios Vasilakis.
"Sipas informacioneve, në tryezë gjenden emrat, 'Severna Makedonia', 'Gorna Makedonia' dhe 'Nova Makedonia', edhe pse nuk përjashtohet mundësia që Methju Nimic në momentin e fundit të krijojë edhe një emër të ri të përbërë.”, shkruhet në artikullin e kësaj gazete me titull "Në tryezë tre emra për Shkupin". Mediat greke përmendin edhe opsionet të cilat nuk janë të pranueshme për shqiptarët, si: “Maqedonia e Vardarit” dhe “ Sllavomaqedonia.
Përderisa, pala maqedonase, deklaron se çdo zgjidhje do të vihet në referendum, pala greke nuk e rekomandon një gjë të tillë, për të evituar mundësinë e dështimit.
SHPËTIM NUREDINI
