Maqedoni

Dorëheqjet te “Besa”: Mblidhet këshilli qendror i partisë

06.01.2018 18:32

Këshilli Qendror i Lëvizjes Besa po mban mbledhjen e saj në të cilën pritet të vendoset rreth dorëheqjes...

Këshilli Qendror i Lëvizjes Besa po mban mbledhjen e saj në të cilën pritet të vendoset rreth dorëheqjes së parevokueshme të nënkryetarit të kësaj partie, Zeqirija Ibrahimi dhe për vendime tjera.
 
Dorëheqja e tij vjen në momentin kur subjekti po bën përgatitjet për organizimin e Kongresit të parë të partisë.
 
Nga Lëvizja Besa nuk komentojnë dorëheqjen për dy arsye. Njëra, për shkak se zyrtarisht deri në parti dorëheqja e Ibrahimin nuk ka arritur, ndërsa arsye tjetër është fakti që siç thonë nga ky subjekt, mbrëmë partia ka pësuar sulme kibernetike në ueb faqen zyrtare të partisë, ndërsa sot persona të panjohur kanë thyer edhe dyert e selisë së partisë në Shkup.
 
Aktualisht Lëvizja BESA është në formim e sipër të organeve të reja. Nga ana tjetër vijojnë përgatitjet për Kongresin e parë i cili mësohet që do të jetë më 24 shkurt.
 
Deri më tani jozyrtarisht bëhet e ditur kandidatura e Bilall Kasamit, ndërsa pritet me kandidat të dal edhe grupi i cili po kërkon dorëheqjen e Kasamit nga kreu i partisë. Emrat e mundshëm të cilët mund të jenë kundër-kandidat të Kasamit nuk bëhen të ditur.
 
Nëse Besa merr për bazë rezultatin e fundit elektoral, në zgjedhjet lokale të 2017 kjo parti në raundin e parë nuk arriti të marr asnjë Komunë, ndërsa në raundin e dytë, pas bashkëpunimit me Aleancën për Shqiptarët, kandidati i Besës fitoi në Komunën e Zhelinës.
 
Në Tetovë kryetari i Besës humbi në raundin e dytë zgjedhorë, ndërsa në Çair, Zeqirja Ibrahimi u mund nga kundër-kandidati i tij nga radhët e BDI-së.
 
SHPËTIM NUREDINI