MAQEDONI

Shkatërrohen armë të sekuestruara dhe drogë

09.07.2014 17:33

Sipas të dhënave statistikore, gjatë vitit 2013 janë evidentuar 625 vepra penale në sferën e tregtisë së palejuar me drogë dhe për këtë janë paraqitur 767 kryerës të veprave penale………

Me rastin e “ditës botërore të luftës kundër armatimit të lehtë dhe të rëndë”, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, morri pjesë në shkatërrimin e armëve të sekuestruara dhe drogave të ndryshme, të cilat kanë prejardhje nga rastet që i kanë marrë tashmë nga vendimet përfundimtare të Gjykatave.

“Në furrat e Jugohromit, janë shkatërruar 782 pjesë të armëve, prej të cilëve 625 ishin pushka të llojeve të ndryshme, 156 pistoleta dhe 15 armatim i lehtë. Janë shkatërruar 250 kg drogë, prej të cilës 177.3 marihuanë, 43 kg heroinë, 447 marihuanë dhe 930 ampula diazepam”, deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.

“Me secilën armë të shkatërruar, shpëtohet një jetë më shumë, ndërsa sot në vendet Kosovë, Mal të Zi, Bosnjë-Hercegovinë, Shqipëri dhe Serbi do të shkatërrohen 5000 pjesë armë, ndërkohë që nga 2002 në Ballkanin perëndimor janë shkatërruar 75 mijë pjesë armatim i ndryshëm”, theksoi përfaqësuesja e UNDP-së, Luiza Vinton.

“Shkatërrimi i armës dhe i drogës, është në të mirë të shoqërisë. BE ka strategji afatgjate në këtë drejtim, që përfshin jo vetëm shkatërrim dhe skadim, por edhe bartjen e armëve”, potencoi përfaqësuesi i misionit të BE-së në Maqedoni, Robert Lidll.

Sipas të dhënave statistikore, gjatë vitit 2013 janë evidentuar 625 vepra penale në sferën e tregtisë së palejuar me drogë dhe për këtë janë paraqitur 767 kryerës të veprave penale. Në bashkëpunim me BE-në, në tre vitet e ardhshme, në këtë hapësirë duhet të shkatërrohen 165 mijë armë të ndryshme, tha Vinton. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)