Maqedoni
Zaev: I bindur për zgjidhjen e çështjes së emrit; Cipras: Zgjidhja për emrin e mundur me qëllim të sinqertë
08.01.2018 11:48
Maqedonia dhe Greqia në gjashtëmujorin e parë të këtij viti mund të zgjidhin problemin me çështjen e emrit...

Kështu u shpreh kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në intervistën e dhënë për televizionin grek “Alfa”, ku paraqiti optimizëm dhe bindje se të dyja palët kanë kapacitet për të zgjidhur këtë problem dhe të jenë model i mirë për zgjidhjen edhe të problemeve tjera që ekzistojnë në botë.
"Jam i bindur se ekziston një zgjidhje dhe sipas rregullit këtë zgjidhje duhet ta kumtojë kryeministri grek, Aleksis Cipras, ndërsa unë të njëjtën tua kumtoj qytetarëve të mi. Besoj se ekziston mundësia që deri në fund të gjysmës së parë të vitit 2018 të gjejmë zgjidhje me të cilën njëherë e përgjithmonë do të avancohet bashkëpunimi mes të dyja vendeve dhe unë përfundimisht si kryeministër i vendit tim mund të krenohem se kemi edhe një aleat dhe ky është fqinji ynë jugor”,- deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
I pyetur për vijat e kuqe, Zaev tha se ato vetëm bllokojnë procesin e gjetjes së zgjidhjes. Në intervistë, Zaev po ashtu disa herë përsëriti se përcaktimi strategjik i tij është Maqedonia të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së dhe vend ekonomikisht stabil.
“Linja jonë e kuqe është linja e cila ndriçon fuqishëm si udhëheqëse e rrugës që të vijmë deri në zgjidhje përfundimtare të problemit”,- tha kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
“Unë besoj se përfundoi koha e Ballkanit të ishte fuqi e barutit dhe po vjen koha kur Ballkani do të manifestojë stabilitet, bashkëpunim, lëvizje dinamike dhe të lirë të njerëzve dhe ideve”- u shpreh kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev.
Zaev gjithashtu shprehu gatishmëri dhe dëshirë që pasi që të takohet me kryeministrin grek, Cipras, të takohet edhe me liderin e Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos, dhe me liderin e Demokracisë së Re, Kirijakos Micotakis. Mediat greke vlerësuan se kjo intervistë është fillim i mirë për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Edhe kryeministri grek, Aleksis Cipras, në mbledhjen e qeverisë ka vlerësuar se ekziston një dritare për zgjidhje, nëse me të vërtetë ka qëllim të sinqertë nga fqinjët. Ai po ashtu ka shtuar se në ditët në vijim do të tregohet sa është e mundshme të bëhen hapa esencialë në këtë drejtim.
"Kemi një dritare për zgjidhje, nëse tregohet se ndryshimi i qëndrimit të fqinjëve tanë është i sinqertë. Zgjidhja, e cila nëse arrihet do të jetë në dobi të paqes dhe bashkëpunimit të Ballkanit, por edhe në dobi të një dinamike për vendin tonë në rajonin më të gjerë. Në ditët në vijim do të tregohet sa është e mundshme të bëhen hapa esencialë në këtë drejtim",- tha Cipras.
Kryeministri grek po ashtu theksoi se viti 2018 do të jetë vit plot me sfida, por edhe me mundësi të rëndësishme që nuk duhet të lëshohen, jo vetëm në ekonominë, por edhe në politikën e jashtme dhe si shembull në këtë kontekst e përmendi zgjidhjen e kontestit me emrin.
REXHEP QAMILI
