BDI akuzon PDSH-në për 5 skulpturat e reja në Shkup
Këshilltarët e BDI-së votuan kundër këtij vendimi, por mungesa e këshilltarëve të PDSH-së i mundësoi VMRO-së të sigurojnë vota edhe me shumicën e badenterit nga bashkësitë e tjera etnike…..

Këshilltarët e BDI-së në Qytetin e Shkupit, kanë akuzuar sot këshilltarët e PDSH-së për bashkëpunim të fshehtë me VMRO-DPMNE-në, bashkëpunim ky që sipas BDI-së, doli në pah me braktisjen e seancës së Këshillit të Qytetit nga PDSH pikërisht në momentin e votimit për vendosjen e 5 përmendoreve të reja në Shkup.
Këshilltarët e BDI-së votuan kundër këtij vendimi, por mungesa e këshilltarëve të PDSH-së i mundësoi VMRO-së të sigurojnë vota edhe me shumicën e badenterit nga bashkësitë e tjera etnike. Nëse këshilltarët e PDSH-së në qytetin e Shkupit do të votonin kundër 5 përmendoreve të reja të VMRO-së, do të mund të pengohej zgjerimi i projektit “Shkupi 2014”, thotë këshilltari i BDI-së, Qemal Musliu.
“Grupi i këshilltarëve të BDI-së reagoi ashpër ndaj këtij propozim-programi edhe votuam kundër, por megjithatë propozimi kaloi dhe unë kisha thënë falë hapit që e bënë këshilltarët e PDSH-së, sepse ata qëndruan në sallë deri në pikën e 14-të, ndërsa para se të fillojë debati dhe votimi me këtë propozim-program, ata lëshuan seancën. Kështu që erdh në shprehje numri i këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe kështu ata fituan shumicën e dyfishtë. Mendoj se me këtë votim erdhi në shprehje, respektivisht erdhi në pah bashkëpunimi i fshehtë që ka VMRO-DPMNE me grupin e këshilltarëve të PDSH-së dhe u soll një vendim në dëm të shqiptarëve”, deklaroi këshilltari i BDI-së në Qytetin e Shkupit, Qemal Musliu.
Por, këshilltari i PDSH-së, Idriz Orhana, thotë se rendi i ditës, me gjithë pikën ku do të votohej për vendosjen e skulpturave, kaloi me votat e BDI-së dhe VMRO-së. Orhana thotë se nëpër Shkup ka mbi 100 skulptura kontraverze, kurse këshilltarët e BDI-së kanë votuar kundër vetëm për 5 të fundit.
“Përpilimin e rendit të ditës në Qytetin e Shkupit e bëjnë BDI–VMRO. Në ditën kur është mbajtur mbledhja, në leximin e rendit të ditës s’kanë pasur asnjë lloj shqetësimi apo propozimi për rendin e ditës, e kanë votuar unanimisht këshilltarët e BDI-së, kurse ne të PDSH-së kemi qenë kundër rendit të ditës. Në Qytetin e Shkupit apo Qendër, kemi në shesh mbi 100 skulptura dhe përmendore, të cilat sot e kësaj dite janë atje, ato paskan mbetur për ato 5”, theksoi këshilltari i PDSH-së në Qytetin e Shkupit, Idriz Orhana.
Në seancën e radhës, në Kuvendin e qytetit të Shkupit, pritet shqyrtimi I propozim-vendimeve për vendet ku do të vendosen përfundimisht 5 figurat e reja të historisë kombëtare maqedonase.
Nga grupi i këshilltarëve të BDI-së, thonë se do të votojnë kundër propozim-vendimeve, por nuk është e sigurt nëse kjo votë kundër e BDI-së do të mund të pengojë këshilltarët e VMRO-së.
Nëse nuk ndërhyn në kohë dhe nëse nuk bashkohet vota shqiptare në Këshillin e Shkupit, këto propozim-vendime mund të bëhen fuqiplota dhe kryeqendrës mund t’i shtohen edhe 5 buste të tjera maqedonase në morinë e busteve aktuale që e kanë kthyer Shkupin në xhungël skulpturore.(Sanije Kasami, TVM2)
