Botë

“Cikloni bombë” paralizon ShBA-të, banorët kënaqen me pamjet e akullta të natyrës

08.01.2018 12:18

“Cikloni bombë” ka paralizuar pjesën më të madhe të ShBA-ve...

“Cikloni bombë” ka paralizuar pjesën më të madhe të ShBA-ve, por shumë njerëz përpiqen ta shijojnë në maksimum këtë mrekulli të akullt që u ofroi natyra në këto ditë të para të 2018. Në Stilluater të Minesotës banorët krijuan një ndërtesë prej akulli që u kthye menjëherë në atraksion për turistët. 
 
“Është vërtetë fantastike. Nga jashtë duket shumë më e vogël sesa është në të vërtetë”,- tha banorja e Minesotas, Sarah Meissner.
 
Në Boston banorët ishin të zënë sot duke pastruar veturat e tyre të mbuluara nga bora, teksa zjarrfikësit u përpoqën të shuanin zjarrin në një ndërtesë me këmbët e zhytura në një metër borë. 
 
“Gjëja e parë që thashë ishte se kush e zbulon makinën nga gjithë kjo borë. Ishte e mbuluar tërësisht. Era e kishte pastruar pak, por ishte e mbuluar deri te dritarja”,- theksoi banori i Bostonit, Rob Mountain.
 
Liqeni në Ohajo ka ngrirë tërësisht, një pamje e pazakontë kjo në vitet e fundit, ku mund të lundroje në të edhe gjatë dimrit.
 
“Vitet e kaluara nuk ka ngrirë dhe gjatë gjithë vitit unë kam mundur të lundroj në ujërat e tij. Por, tani është mbuluar nga akulli, pra ka kushte të mira që unë të rrëshqas mbi liqen”,- u shpreh banori i Ohajos, Don Dunphy.
 
Më shumë borës i është gëzuar Victoria Bott, një vogëlushe nga Florida që kishte ardhur për pushime në Karolinën e Veriut. Dëshira e saj për Krishtlindje ishte të shikonte borë për herë të parë në jetë dhe kjo u plotësua.
 
“Po bie borë, sepse unë u luta që të bjerë. E luta Jezusin që të bëjë të bjerë shumë borë”,- tha banorja e Floridas, Victoria Bott.
 
Në Çikago, ndërkohë, akulli mbuloi një ndërtesë të madhe, një pamje e bukur por mjaft e rrezikshme për ata që kalojnë pranë saj. Autoritetet mbyllën rrugën për të parandaluar që ndonjë kalimtar të pësojë nëse akulli shkëputet. 
 
MIGENA GORENCA