Maqedoni

VMRO-DPMNE: Nuk ecet përpara kur patriotët janë në burg

08.01.2018 12:47

VMRO ka reaguar sërish sot për deputetët e saj të paraburgosur për dhunën e 27 prillit në Kuvend...

Dhjetëra mbrojtës të Kushtetutës gjenden në Shutkë, teksa përfaqësuesit qeveritarë nëpër fqinjë flasin për historinë dhe ardhmërinë e Maqedonisë, thuhet në reagimin e VMRO-së, sipas së cilës “Maqedonia nuk mund të ecë para derisa patriotët janë në burg. Gjyqësia le të fillojë të ndajë drejtësi e të mos bëjë politikë, gjykata duhet të mbledhë forcë e të pranojë se ka bërë gabim kur dha urdhër për paraburgimin me bazë të artistëve dhe intelektualëve. Në Maqedoni, dhjetëra njerëz janë në paraburgim, si pjesë e një procesi të montuar, vetëm pse zëshëm treguan qëndrimin e tyre dhe iu kundërvunë një politike të caktuar”. 
 
Nga VMRO thonë se institucionet që duhet të mbrojnë sistemin gjyqësor çdo ditë shkelin ligjet dhe procedurat ligjore. 
 
“Maqedonia nuk mund të jetë anëtare e NATO-s, derisa sistemi gjyqësor përdoret si mjet i përndjekjes politike. Shteti ynë i përbashkët nuk mund të ecë para përderisa patriotët janë në burg e prezumcioni i pafajësisë është vetëm një floskulë e zbrazët”,- thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.