Botë

Kriza e refugjatëve, shpëtohen 86 emigrantë, 8 vdiqën në Mesdhe

08.01.2018 13:44

Edhe pse temperaturat këtë janar vazhdojnë të jenë ekstremisht të ulëta në shumë pjesë të Europës, kjo nuk i pengon trafikuesit e qenieve njerëzore të mbushin plot me emigrantë anijet e tyre...

86 emigrantë, që arritën mrekullisht të shpëtojnë pasi anija e tyre u mbyt në det, kanë arritur tashmë në portin e Katanias në Itali. Bashkë me ta, tokën italiane e prekën edhe trupat e 8 emigrantëve, që nuk arritën të shijojnë fundin e lumtur të udhëtimit të tyre drejt lirisë.

Anija që i transportonte ata përmes Mesdheut u prish dhe u përmbyt në brigjet libiane. Pas sinjalit të alarmit drejt saj nxituan forcat detare italiane, të cilët arritën të shpëtojnë shumicën e pasagjerëve. Nga Kryqi i Kuq italian thonë se gjendja e tyre shëndetësore nuk është e keqe, por shpirtërisht dhe psikologjikisht ata janë shkatërruar, mes tyre ka edhe fëmijë.