Maqedoni

Qeveria aktivizon masat kundër ndotjes së ajrit. Qyteti i Shkupit, transport publik pa pagesë në Shkup

08.01.2018 14:40

Qeveria sot aktivizoi masat kundër ndotjes së ajrit në Shkup për shkak se dy ditët e fundit..

Qeveria sot aktivizoi masat kundër ndotjes së ajrit në Shkup për shkak se dy ditët e fundit janë matur mbi 200 mikogramë PM grimca në metër kub në dy njësi matëse, kumtoi pres qendra e Qeverisë.
 
Ndotja e kryeqytetit ishte e lartë në 24 orët e fundit dhe niveli më i lartë u regjistrua mbrëmë, kur në Lisiçe u matën 610 mikrogram për metër kub të grimcave PM10. Mëngjesin e sotëm në orën 10 u matën 215 mikrogram për metër kub grimca PM10 në Lisiçe, 214 në Qendër, 198 në Karposh, 196 tek Rektorati, 120 në Gazibabë, 90 në Milladinovcë, 180 në Manastir, 158 në Tetovë, 187 në Strumicë, 154 në Kumanovë dhe 58 në Koçan.
 
Nga sot transporti publik në Shkup është pa pagesë  për shkak të ndotjes së lartë të ajrit, tha kryetari i Shkupit, Peter Shilegov, duke shtuar se masa do të zgjasë deri në reduktimin e ndotjes. Sipas tij, do ndërpriten të gjitha aktivitetet ndërtimore në vendet e ndërtimit nën juridiksionin e qytetit të Shkupit dhe u bëri thirrje kryetarëve të tjerë të komunave për të bërë të njëjtën gjë. Po ashtu janë udhëzuar institucionet përkatëse për të zgjeruar pastrimin e rrugëve të qytetit dhe bulevardeve, kontroll i përforcuar i firmave që furnizojnë me mallra janë rritur inspektimet e subjekteve që menaxhojnë gomat dhe mbeturinat e naftës. Shilegov u bëri thirrje edhe qytetarëve që të përdorin transportin publik në vend të makinave të tyre.
 
“Apeloj deri tel qytetarët e Shkupit të mos i shfrytëzojnë veturat pa nevojë, më shumë persona të përdorin një veturë, të shfrytëzohet transporti publik dhe kjo të shndërrohet në traditë. Për ngrohjen e shtëpive të mos përdoren materiale apo mbeturina të lyera, vaji i djegur, stiropoli, ambalazhe, goma dhe materiale tjera sintetike, por të përdoret dru i thatë dhe ngrohja me dru të bëhet sipas udhëzimeve të prodhuesve”,- deklaroi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
 
Ndërkohë, masat e Qeverisë parashikojnë lirimin nga puna të grave shtatzëna, personave mbi 60 vjet, personat me sëmundje kronike, astmë kronike, infarkt apo sulm në tru dhe punëtorët në ambient të hapur të punojnë prej orës 11 deri në orën 17. MPB-ja të zbatojë vendimin për regjim në komunikacion të automjeteve të rënda në rastet kur destinacioni nuk është Shkupi.
 
Rekomandohet nga Qeveria po ashtu të mos organizohen gara sportive dhe manifestime të tjera kulturore. Duhet të sigurohen kushtet për rritjen e aktiviteteve të shërbimeve të urgjencës mjekësore, vizitave në shtëpi dhe shërbimit të patronazhit.
 
Qeveria duhet të ulë në 50% përdorimin e automjeteve zyrtare dhe të kufizojë punën në objektet që janë në ndërtim. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale së bashku me Kryqin e Kuq, Qendrën Shëndetësore dhe Njësitë për Vetëqeverisje Lokale duhet të ofrojnë strehimore për vendosjen e njerëzve të pastrehë dhe të sigurojë mbështetje për njerëzit në moshë përmes vizitave të organizuara dhe masa tjera të cilat institucionet e pushtetit qendror dhe lokal duhet t’i ndërmarrin me qëllim të uljes së ndotjes së ajrit.
 
FLUTRA LATIFI