Zv. kryeministri Osmani të martën në Athinë, analistët: Pritet vizitë e suksesshme
Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Europiane, Bujar Osmani....

Zëvendëskryeministri i angazhuar për Çështje Europiane, Bujar Osmani, të martën do të qëndrojë për vizitë në Athinë, ku do të takojë shefin e Diplomacisë greke, Nikos Koxijas, me të cilin, siç është njoftuar zyrtarisht nga Ministria e Jashtme greke, do të bisedohet për çështjet europiane me interes të ndërsjellë, njofton “TVM2”.
Vizita e Osmanit në Athinë pritet të jetë një vizitë e suksesshme dhe një takim i cili në mënyrë plotësuese do ta shkrijë akullin që u krijua për vite me radhë nga qeveria e kaluar, vlerëson analisti politik, Albert Musliu. Njëherit, vizita e Osmanit në Athinë tregon edhe simbolin e pajtueshmërisë së qëndrimit të komuniteteve më të mëdha në vend për zgjidhjen e çështjes së emrit, thotë Musliu.
“Vizita e Osmanit është në vazhdën e asaj tendence për përmirësimin e zbutjes së marrëdhënieve me Greqinë. Unë mendoj se është një strategji e mirë, veç të shohim rezultatet e asaj strategjie edhe nga pala greke. Kemi një qëndrim shumë më të butë edhe të palës greke edhe një gatishmëri më të madhe për negociatat thelbësore. Unë mendoj se edhe vizita e Osmanit është pjesë e atij protokolli e asaj strategjie, edhe nga ana tjetër ka edhe simbolikën e vet që tregon një harmonizim qëndrimesh të komuniteteve më të mëdha në Maqedoni”,- tha analisti politik, Albert Musliu.
Në kuadër të takimit të nesërm, zëvendëskryeministri Osmani, përpos shefin e Diplomacisë greke, Koxias, do të takojë edhe zëvendësministrin e Punëve të Jashtme, përgjegjës për Çështje Europiane dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare Ekonomike, Jorgos Katrugalos. (Nermin Mulaki-Fejzullahu, TVM2)
