Maqedoni
Lëvizja BESA, mbështetësit e Kasamit: selia u uzurpua nga persona të panjohur; BESA e Tetovës: mbështesim Kahremanin si kryetar të ri; Lëvizja BESA - krahu në Shkup: klane ekstremiste e uzurpuan me dhunë selinë
08.01.2018 16:25
Bilall Kasami, nën shoqërimin e përkrahësve të tij, mëngjesin e sotëm ka arritur të futet në selinë e partisë në Shkup që gjendet në QT “Mavrovasja”...

Siç pohojnë nga sigurimi i këtij objekti, Kasami së bashku me një grup prej rreth 20 personash në mënyrë të dhunshme kanë thyer dyert e selisë dhe janë futur brenda. Edhe nga MPB konfirmojnë hyrjen me dhunë në selinë e kësaj partie, duke sqaruar se po zhvillohen bisedime me anëtarë të partisë dhe sigurimin e objektit.
“Sot në orën 9 e 30 minuta erdhën disa njerëz të paautorizuar, as vet nuk e di se kush janë, me forcë thyen këtë derën këtu dhe derën tjetër të Partisë BESA. Aty ishte edhe kryetari i shkarkuar, Bilall Kasami, deri sa është kryer thyerja. Ai hyri brenda. Dukeshin 18 deri më 20 persona”,- deklaroi pronari i Agjencisë së sigurimit, Nexhmedin Rrahmani.
Mbështetësit e Bilall Kasamit në pres konferencën e mbajtur po në këtë seli theksuan se për dy ditë me radhë kanë tentuar të futen në seli, por u është pamundësuar nga, siç tha Abdush Demiri, persona të panjohur dhe paautorizuar duke mos u përgjigjur në pyetjen se si kanë arritur të futen brenda selisë.
“Pasi tentuam dy ditë me radhë që të hyjmë në selinë e partisë, e njëjta gjë na ishte pamundësuar, pasi brenda në seli ka pasur persona të paidentifikuar dhe të paautorizuar. Menjëherë i kemi njoftuar edhe organet e rendit që të vijnë në vendngjarje, pasi që edhe dy ditë përpara e kemi paraqitur rastin në fjalë në organet kompetente. Organet e rendit përfunduan procedurat e tyre dhe me siguri pas kësaj do pasojnë edhe paditë penale për të gjithë ata që janë të involvuar në uzurpimin e selisë së Lëvizjes BESA në Shkup”,- deklaroi Abdush Demiri nga Lëvizja BESA.
Në kohën kur mbështetësit e Bilall Kasamit po mbanin pres konferencë në Shkup, anëtarët e Kryesisë Qendrore dhe të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA në Tetovë i dhanë mbështetje vendimit të Këshillit Qendror të Lëvizjes BESA që kryetari i ri i Lëvizjes BESA të jetë Nexhbedin Kahramani.
“Dr. Kahramani gëzon mbështetjen e plotë të të gjithë strukturave të Lëvizjes BESA dhe më gjerë, por edhe të tetovarëve e të tjerëve, madje edhe përtej dallimeve politike. Prandaj ne dëshirojmë të falënderojmë Këshillin Qendror që në çastet e organizimit të brendshëm në Lëvizjen BESA zgjodhi dr. Kahramanin për këtë detyrë, sepse ai është një figurë që bashkon dhe nuk përçan, si dhe një personalitet i nderuar, për të cilin jemi të bindur se me urtësi dhe qasje pozitive që e ka mund të drejtojë me sukses Lëvizjen BESA deri në kongresin e saj”,- u shpreh Bashkim Uzair nga Lëvizja BESA - Tetovë.
Nga anëtarësia e Lëvizjes BESA, krahu në Shkup, përmes një kumtese me shkrim dënojnë aktin, siç thuhet “ekstremist” dhe “të dhunshëm” në selinë e partisë në Shkup dhe nga organet e rendit presin që rasti të zbardhet ndërsa ushtruesit e këtij akti vandal të përgjigjen para drejtësisë.
“Pohojmë se kjo nuk ka qenë gjuha që e kemi instaluar ne, këto nuk janë as vlerat që ne i kemi promovuar dhe kjo është në kundërshtim me gjithçka që ne e kemi ideuar në Lëvizjen BESA. Neve na vjen keq që Bilall Kasami në bashkëpunim me klane ekstremiste të Çairit po i uzurpon dhunshëm jo vetëm zyrat e BESËS, por edhe i nëpërkëmb vlerat që në skenën politike i ka sjellë Lëvizja BESA”,- thuhet në kumtesë.
Përçarja në Lëvizjen BESA ndodhi pas refuzimit të kreut të kësaj partie që të dorëhiqet pas humbjes në zgjedhjet lokale, edhe pse një gjë të tillë e kishte premtuar më parë.
Mirëpo pjesa më e madhe e Këshillit Qendror në një takim të mbajtur në Shkup vendosi që ta shkarkojë atë.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
