Marrëdhëniet Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë në nivel

09.07.2014 17:55

Kështu janë shprehur ambasadorët e Maqedonisë në Prishtinë dhe Tiranë, Stojan Karajanov dhe Vele Tërpevski, para anëtarëve të Komisionit Kuvendor për Politikë të Jashtme në përfundimin e mandatit të tyre……..

Marrëdhëniet e Maqedonisë me Shqipërinë dhe Kosovën, janë në nivel të duhur dhe të njëjtat gradualisht po thellohen në më shumë fusha.

Kështu janë shprehur ambasadorët e Maqedonisë në Prishtinë dhe Tiranë, Stojan Karajanov dhe Vele Tërpevski, para anëtarëve të Komisionit Kuvendor për Politikë të Jashtme në përfundimin e mandatit të tyre.

Ky i fundit tha se vetëm në vitin e fundit, Maqedonia me Shqipërinë ka ngritur shkëmbim tregtarë për 32,5%.  

“Republika e Maqedonisë ka një vend të posaçëm në politikën e jashtme të Shqipërisë. Ne në kontunuitet kemi rritje të marrëdhënieve bilaterale. Në vitin e parë të punës tonë kishim një rritje të këmbimit tregtarë prej 32,5%.Mendoj se ka hapësirë edhe më shumë për tu bërë në këtë drejtim, prandaj një nga angazhimet e mia kryesore ka qenë që kapitali investitorëve shqiptarë të gjejë vend në Maqedoni”, deklaroi ambasadori i RM-së në Shqipëri, Vele Trpevski.

“Për kënaqësi të të dy palëve, janë realizuar dhjetëra vizita të niveleve më të larta. Në vitin 2005 kishim rreth 180 milion dollarë për të arritur në 450-460 milion dollarë eksport të mallrave të Maqedonisë në Kosovë”, theksoi ambasadori i RM-së në Kosovë, Stojan Karajanov.

Deputeti i BDI-së, Artan Grubi, ka ftuar ambasadorët që të shfrytëzojnë marrëdhëniet vëllazërore të shqiptarëve për të thelluar akoma më shumë bashkëpunimin midis vendeve.

“Nuk do mend që shqiptarët e Maqedonisë kanë marrëdhënie vëllazërore jo vetëm me Republikën e Shqipërisë dhe Republikën e  Kosovës, sepse fundja jemi një komb, kemi një traditë, kemi një gjuhë dhe e ndjejmë afërsinë. Kjo është një aset që duhet ta shfrytëzojnë ambasadorët në Prishtinë dhe Tiranë, si urë lidhëse midis dy vendeve tona, që do ta ndihmojë komunikimin jo vetëm ekonomik, jo vetëm kulturor, por edhe ecjen e përbashkët drejt integrimeve evropiane”, potencoi deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Ndryshe, Grubi gjatë fjalimit të tij nga ambasadorët kërkoi llogari për parregullsitë e publikuara gjatë votimit të diasporës në zgjedhjet e fundit në Tiranë. Ai gjithashtu nga ambasadorët kërkoi që gjëra të tilla të dokumentuara si të parregullta, të mos përsëriten, duke besuar se ky rast do të mbetet si incident i izoluar. (Naim Ramadani, TVM2)