KUMANOVA PROTESTON PËR RASTIN "MONSTRA"

Kumanova protestoi qetë dhe me ikonografi kombëtare

09.07.2014 18:06

Protestat filluan prej para Gjimnazit “Sami Frashëri”, për të vazhduar drejt bulevardit kah Tregu i Qytetit, kah sheshi, e deri para Gjyqit Themelor të Kumanovës………

Me moton “O sot o kurrë”, qytetarët e Kumanovës sot organizuan një protestë në shenjë revolte ndaj procesit gjyqësor “ Monstra”, me të cilin 6 shqiptarë u dënuan me burg të përjetshëm, të akuzuar për vrasjen e 5 maqedonasve te liqeni i Smillkovës.

Ashtu siç ishte e paralajmëruar, protestat ishin të qeta me ikonografi kombëtare shqiptare.

Protestat filluan prej para Gjimnazit “Sami Frashëri”, për të vazhduar drejt bulevardit kah Tregu i Qytetit, kah sheshi, e deri para Gjyqit Themelor të Kumanovës.

Gjatë tërë kohës, protestuesit brohorisnin me parulla të ndryshme “Kumanova UÇK”, “Bit Pazari, Gostivari”, “Sopoti”, “Brodeci”, “Shqipëri etnike”, “Geshkovska terroriste” , “Jankullovska terroriste”, “Stop dhunës”, “Shteti monstër”, “Stop drejtësisë selektive” e të tjera.

Derisa kolona e protestuesve po rrugëtonte drejt sheshit, protestuesit shpalosën edhe flamurin gjigant, që u përshëndet me duartrokitje frenetike nga qytetarët.

Pastaj, protesta në Kumanovë përfundoi e qetë dhe pa asnjë incident. (Nexhati Aqifi, TVM2)