TEMPERATURA TË LARTA

Temperaturat e larta, shqetësim për shëndetin

09.07.2014 18:10

Këto ditë po mbretërojnë temperatura tropikale, andaj shumë persona ankohen për shqetësimet që vapa sjell në shëndetin e tyre………

Stina e verës tashmë është në kulmin e saj. Këto ditë po mbretërojnë temperatura tropikale, andaj shumë persona ankohen për shqetësimet që vapa sjell në shëndetin e tyre.

Duhet të jemi të kujdesshëm nga goditja e të nxehtit, e cila mund të jetë kërcënuese për jetën dhe ndodh kur ekspozohemi një kohë të gjatë në rreze të diellit, ose janë të shpeshta rastet kur njerëzit alivanosen në autobus, me ç’rast temperatura është shumë e lartë dhe mund te arrijë deri në 42 gradë celsius.

Internisti, Muhamed Kamberi, sqaron për TVM2 simptomat, të cilat vërehen te personat që pësojnë goditje nga dielli, që në disa raste mund të jenë fatale.

“E para që duhet të behet, është të shtrihet personi në gjendje horizontale, ashtu që truri i njeriut duhet të furnizohet me oksigjen  dhe me vetë shtrirjen vjen gjaku në ekstremitet e poshtme dhe shohim që na vjen vetëdija. E dyta është të freskohet pacienti, të merren lëngje, ujë ose çaja me kalium, që të mos vijë deri te shtangimi”, deklaroi internisti, Muhamed Kamberi.

Sa u përket njerëzve që e kanë domosdoshmëri të  punojnë në ambient të hapur, ata patjetër duhet të kenë pushim dhe të konsumojnë së paku 2 litra lëngje.

“Mund të punohet brenda një ore vetëm 15 minuta, ose të bëhet pushim për çdo orë pune 45 min në ambient të klimatizuar”, theksoi internisti Kamberi.

Qytetarët thonë se janë të kujdesshëm dhe marrin masa preventive për mbrojte nga temperaturat e larta.

“Rrimë nën hije, nuk dalim shumë, pimë lëngje”, tha një qytetar.

“Veshje sa më të bardha, se reflekton dritën, si dhe shoh të pi sa më shumë lëngje dhe të bëj tush me ujë të ftohtë, për ta freskuar trupin”, u shpreh një qytetar.

“Rrimë sa më shumë në shtëpi me klimë, sepse kemi tash edhe agjërimin”, potencoi një qytetar.

Rekomandimet e përgjithshme të mjekëve për t’iu shmangur vapës, janë që të vishen veshje të lehta dhe me ngjyra të hapua, syze dielli dhe kapele në kokë. Të mos dilet jashtë në periudhën nga ora 10:00 deri 17:00 pa nevojë, veçanërisht të disiplinuar duhet të jenë të sëmurët kronik, e sidomos ata me sëmundje të zemrës, sëmundjet neurologjike, të sëmurët me diabet etj.

Për të gjitha ndryshimet në gjendjen shëndetësore të tyre, është e domosdoshme të konsultohen me mjekun amë. (Flutura Latifi,TVM2)