KORRUPSIONI

Qytetarët paraqesin rastet e korrupsionit

09.07.2014 18:14

Numri më i madh i paraqitjeve sipas kryetares së “Transparent Internacional”, Sllagjana Taseva, kanë të bëjnë me punën e gjyqësorit, arsimit dhe Policisë………

Për dy vite nga realizimi i projektit “Bëhu i guximshëm, paraqit korrupsionin”, deri më tani në Qendrat për Këshillim dhe Ndihmë Juridike nga “Transparent Internacional”, 678 qytetarë kanë paraqitur 1032 raste të korrupsionit.

Numri më i madh i paraqitjeve sipas kryetares së “Transparent Internacional”, Sllagjana Taseva, kanë të bëjnë me punën e gjyqësorit, arsimit dhe Policisë. Pre e korrupsionit në Polici ka qenë edhe një diplomat i huaj.

“Numri më i madh i paraqitjeve kanë të bëjnë me punën e gjyqësorit, më pas punën e Administratës Lokale, gjegjësisht të drejtat pronësore, disponimin me pronat dhe lejet, më pas paraqitjet janë në sferën e shëndetësisë dhe punën e shërbimeve policore. Kishim rastin kur një diplomat i huaj ka paraqitur korrupsionin në zyrat e “Transparent Internacional”, kur një pjesëtar i shërbimeve policore ka kërkuar mito në një vendkalim kufitar”, deklaroi kryetarja e “Transparent Internacional”, Sllagjana Taseva.

Taseva, me këtë rast tha se numri më i madh i vetëqeverisjeve lokale nuk kanë linja telefonike përmes të cilave qytetarët do të mund të paraqitnin rastet e korrupsionit.

Ajo me këtë rast tha se një numër i madh i rasteve të paraqitura të korrupsionit, kanë përfunduar me sukses. Projekti në fjalë është mbështetur nga Ambasada e mbretërisë së Holandës në Maqedoni. (Florije Kamberi, TVM2)