Kuvend, duhet të votohet ligji për gjuhët dhe gjykatësit kushtetues
Në Kuvendin e Maqedonisë për sot është caktuar vazhdim i pesë seancave kuvendore...

Në Kuvendin e Maqedonisë për sot është caktuar vazhdim i pesë seancave kuvendore, ndërsa në të parën prej tyre, në të 27-ën duhet të votohet për Propozim ligjin për përdorimin e gjuhëve, në lexim të dytë dhe Propozimi për zgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese.
Për këto propozime pardje në shtëpinë ligjdhënëse përfundoi shqyrtimi pa debat, por pasi nuk kishte kuorum kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi votimin e ricaktoi për sot.
Vendimet për ligjin për gjuhët dhe për gjykatësit kushtetues sillen me shumicë votash nga numri i përgjithshëm i deputetëve, gjegjësisht nevojiten 61 vota "pro".
Zgjedhja e Darko Kostadinovskit dhe Osman Kadrirut për gjykatës kushtetues për të cilën duhet të votohet në seancën e sotme është me propozim të presidentit Gjorge Ivanov.
Debati për ligjin e gjuhëve në Kuvend filloi më pesë shtator të vitit të kaluar në Komisionin kuvendor për Çështje Evropiane, ndërsa shumica parlamentare e aprovoi nevojën për miratimin e tij më 15-të nëntor të vitit të kaluar.
Siç theksohet në sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë, me ligjin parashikohet në të gjitha organet e pushtetit shtetëror në Republikën e Maqedonisë, institucionet qendrore, ndërmarrjet publike, agjencitë, drejtoritë, institucionet dhe organizatat, komisionet, personat juridik të cilët ushtrojnë autorizime publike në pajtim me ligjin dhe institucionet e tjera, gjuhë zyrtare krahas gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj të jetë edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe alfabetin e saj, (gjuha shqipe).
Mendim për përdorimin e gjuhës shqipe në paratë dhe uniformat, me kërkesë të Qeverisë duhet të japë Komisioni i Venecias.
