Jankullovska bën thirrje për protesta të qeta
Ministrja Jankullovska, u shpreh se MPB-ja nuk do të lejojë të eskalojë situata dhe Policia ka nën kontroll të gjitha zhvillimet rreth protestave….

Pas zhvillimit të protestave rreth “Monstrës” në Shkup, ku pati tensione mes pjesëtarëve të Policisë dhe protestuesve, ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, kërkoi që protestat e paralajmëruara për ditën e premte, të jenë të qeta.
Ajo paralajmëroi protestuesit, të cilët do të ushtrojnë dhunë, se rrezikojnë të dënohen nga 3 muaj deri në 5 vjet burg, për dhunë gjatë protestave.
Ministrja Jankullovska, u shpreh se MPB-ja nuk do të lejojë të eskalojë situata dhe Policia ka nën kontroll të gjitha zhvillimet rreth protestave.
“Të gjithë ata që mendojnë të dalin në rrugë dhe të protestojnë pa dallim se kush është motivi dhe shkaku apo qëllimi i protestave, të protestojnë qetë dhe të përmbahen nga çdo lloj prishje të rendit dhe të qetësisë publike dhe çfarëdo lloj dhune. Ne si Ministri, bëjmë përgatitje adekuate dhe në mënyrë profesionale, në bazë të obligimeve dhe përgjegjësive ligjore, do të merren sanksione adekuate”, deklaroi ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska.
Ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, ka njoftuar gjithashtu se për protestat e së premtes së kaluar në Shkup, MPB-ja ka ngritur padi penale për gjithsej 24 persona dhe 10 padi për kundërvajtje. (Afrim Tanallari, TVM2)
