Kina nuk dëshiron konfrontim me Amerikën
Përplasja me Shtetet e Bashkuara do të ishte një katastrofë, e me këtë pohim presidenti kinez, Xi Jingping, la të kuptohet se Pekini nuk dëshiron të vendoset në kurs konfrontimi me Amerikën, ndërsa i mëshoi nevojës për respekt reciprok mes dy kombeve....

Përplasja me Shtetet e Bashkuara do të ishte një katastrofë, e me këtë pohim presidenti kinez, Xi Jingping, la të kuptohet se Pekini nuk dëshiron të vendoset në kurs konfrontimi me Amerikën, ndërsa i mëshoi nevojës për respekt reciprok mes dy kombeve.
Komentet e tij, kreu i shtetit kinez i bëri gjatë bashkëbisedimeve vjetore SHBA-Kinë, takim i mbajtur në kryeqytetin kinez. Për presidentin Xi, interesat e dy vendeve janë sot më të ndërlidhura se kurrë më parë, e siç tha edhe përfitimet nga bashkëpunimi mes tyre do të ishin të mëdha.
“Bashkëpunimi amerikano-kinez, nga ana tjetër, mund të jetë një arritje, nga e cila mund të përfitojnë të dyja palët, si dhe e gjithë bota”, tha Xi Jingping, president i Kinës.
Delegacioni amerikan drejtohej nga sekretari i Shtetit, John Kerry, i cili tha në fjalën e hapjes se Shtetet e Bashkuara nuk po përpiqen ta frenojnë Kinën, duke shtuar se “SHBA-të duan një Kinë paqësore, të stabilizuar e të begatë, e cila të kontribuojë në qëndrueshmërinë e zhvillimin e mbarë rajonit dhe një Kinë që zgjedh të luajë një rol të përgjegjshëm në çështjet ndërkombëtare”, tha John Kerry, sekretar i Shtetit të SHBA-ve. (Afrim Tanallari, TVM2)
