Maqedoni

Kuvendi miratoi ligjin për përdorimin e gjuhëve

11.01.2018 16:31

Kuvendi miratoi ligji për përtdorimin e gjuhëve, i cili parasheh avancim të theksuar të përdorimit të gjuhës shqipe...

Pro Ligjit votuan të gjithë deputet e pranishëm në sallë, 69 gjithsej, si nga shumica parlamentare LSDM dhe BDI poashtu edhe nga opozita shqiptare Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe PDSH. 
 
“Konstatoj se Kuvendi e miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
 
Sipas BDI-së, miratimi i këtij ligji paraqet përmbylljen e MO-së dhe tani u takon institucioneve që ta zbatojnë atë në vepër.
 
“Mendoj që ky sukses është i përbashkët. i deputetëve në Kuvendin e RM-së, i mediave, i shoqërisë civile dhe i shoqërisë në përgjithësi shqiptare dhe të tjerë. Me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve 69 vota pro dhe asnjë kundër u rrumbullakësua pjesa normative e Marrëveshjes paqësore të Ohrit. Dhe, tani u mbetet institucioneve të ekzekutivit që ta zbatojnë çdo gjë që është miratuar në Kuvendin e RM-së”, tha Artan Grubi, deputet i BDI-së.
     
Deputet e Lëvizjes Besa, edhe pse e votuan këtë ligj përsëritën qëndrimin se me këtë ligj vetëm avancohet përdorimi I gjuhës shqipe. 
 
“Edhe në leximin e parë por edhe në leximin e dytë e votuam ligjin për gjuhët edhepse edhe më herët i kemi shpreh të gjitha vërrejtjet që kemi pasë ndaj këtij ligji, përfshi edhe atë se me këtë ligj nuk zyrtarizohet gjuha shqipe por vetëm avancohet”, tha Fadil Zendeli, deputet i Lëvizjes BESA.
 
Koalicioni i kryesuar nga VMRO DPMNE, i cili nuk merr pjesë në punimet e Kuvendit, përmes një kumtese e cilësoi ligjin si antikushtetues.
 
“Ligji për dygjuhësi që u miratua sot nga shumica parlamentare është antikushtues. Me këtë akt pushteti tregoi se aktimë i lartë juridik, Kushtetuta e shtetit për të është vetëm letër”, thonë nga VMRO.
 
Ligji obligon të gjitha institucionet që brenda një viti nga dita e miratimit të këtij ligji të miratojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji, ndërsa në afat prej gjashtë muaj të gjitha mbishkrimet dhe vulat e institucioneve duhet të shënohen edhe në gjuhën shqipe.  
 
Konformë ligjit për përdorimin e gjuhëve, gjuha shqipe do të përdoret në komunikim në të gjitha procedurat e qytetarëve para të gjitha organeve që përbëjnë aparatin shtetëror. 
 
Ligji parasheh edhe themelimin e Agjencisë për zbatimin e gjuhës që e flasin sëpaku 20% e qytetarëve të RM-së.
 
SHPËTIM NUREDINI