SITUATA NË MAQEDONI

Xhozef: Tensionet ndëretnike mjaft serioze

10.07.2014 14:38

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Eduard Xhozef, i ka cilësuar si mjaft serioze tensionimet e fundit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni……….

Eksperti i çështjeve të Ballkanit, Eduard Xhozef, i ka cilësuar si mjaft serioze  tensionimet e fundit të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoni. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Xhozef ka vlerësuar se anëtarësimi i Maqedonisë në NATO, do të ndihmonte për përmirësimin e këtyre marrëdhënieve. 

“Mendoj se ky është një problem shumë serioz, jo thjesht për protestën që u zhvillua, por për mundësinë që hendeku etnik në Maqedoni të thellohet. Gjatë disa viteve të fundit, kemi parë një udhëheqje të papërgjegjshme në Shkup. Kemi parë edhe disa prirje shumë negative, ku siç po shihet, personat që u shpallën fajtorë dhe që mund të jenë përgjegjës për vrasjet, po marrin mbështetje publike. Mendoj se kjo është diçka dëshpëruese”, deklaroi Eduard Xhozef nga Qendra e Marrëdhënieve Ndëratlantike.

Xhozef bën krahasim me lindjen e afërt, ku ka një rast mes Izraelit dhe palestinezëve lidhur me disa vrasje të fundit, por sipas tij, atje janë bërë arrestime në njërin rast dhe shpresohet që personi, i cili vrau palestinezin, të ndiqet ligjërisht me një proces serioz.

“Në rastin e vrasjeve makabre në Maqedoni, të gjithë do të shpresonin që edhe atje të ndodhte po ashtu, natyrisht duke supozuar se gjykimi do të ishte i drejtë. Pra, shpresat do të ishin që për viktimat të kishte mbështetje publike. Çështja në Maqedoni është shumë serioze”, theksoi XHOZEF.

Xhozef  mendon  se ishte gabim që anëtarësimi i Maqedonisë në NATO u pezullua për shkak të kundërshtimit të Greqisë. Rasti i tanishëm na kujton nevojën urgjente nga ana e NATO-s që çështja me Greqinë të zgjidhet një herë e mirë dhe që Maqedonia të anëtarësohet.

Ky do të ishte hapi më i mirë i mundshëm për përmirësimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe maqedonasve, vlerëson eksperti i çështjeve të Ballkanit, Eduard Xhozef. (Adnan Hajdari, TVM2)